Kunati i vrau motrën, flet vëllai i Gjyljeta Ukellës: Nuk e dimë pse ka ndodhur, shpresoj që drejtësia të zbardhë ngjarjen

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën ditën e djeshme, ku Edmond Lajqi ka qëlluar për vdekje me armë zjarri gruan e tij, Gjyljeta Ukelli. Vrasja ka ndodhur në qytetin e Pejës.

Ditën e sotme, Shpat Ukella, vëllai i Gjyljetës, ka folur sot para gazetarëve në lidhje me krimin e rëndë që tronditi familjen e tyre dhe gjithë shqiptarët.

Ai tha për mediat në Kosovë se për ta rasti është shumë i rëndë, ndërsa u shpreh se nuk dinë asgjë më shumë se pse ka ndodhur. Ukella tha se shpreson që drejtësia do të zbardhë ngjarjen.

“Falënderoj Zotin për krejt këta njerëz që kanë ardhë me na nderu dhe me na respektu në këto ditë të vështira për neve. Për neve rasti është shumë i rëndë. Uroj që organet e drejtësisë sa më shpejtë ta bëjnë zbardhjen dhe ta kryejnë punën e tyre dhe uroj që asnjëherë të mos ndodhin këso raste në qytetin tonë dhe sidomos në shtetin e as në kombin tonë të Kosovës dhe Shqipërisë e më gjerë. Ju faleminderit, kaq është prej meje. Nuk dimë asgjë më shumë për rastin”, tha ai.