Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Policia e Kosovës njoftoi të hënën se e ka arrestuar një të dyshuar për krime lufte dhe dhunë seksuale gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë.

I dyshuari, i nacionalitetit serb me inicialet Z.N, u arrestua të hënën pasdite në Mitrovicën e Veriut gjatë një aksioni të përbashkët mes Policisë dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, tha Policia në një komunikatë.

Ai dyshohet se krimet i kishte kryer gjatë vitit 1999 në qytetin e Vushtrrisë dhe akuzohet për veprën penale ‘’krime lufte kundër popullatës civile – dhunë seksuale”, thuhet në komunikatë.

Prokurori ka marrë vendim që 70-vjeçari të mbahet në paraburgim për 48 orë, pasi u mor në pyetje në prani të avokatit mbrojtës.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. /REL

Check Also

Tragjike në SHBA, foshnja 1 vjeçe sulmohet për vdekje nga qentë

Një foshnjë një vjeçare ka ndërruar jetë në mënyrë të tmerrshme në Teksas të SHBA-së, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *