“Të vallëzosh me Naimin”, Liridona njëra prej nesh

Nga Joana Gjika

Liridona Ademaj (jo) Murseli është protagonistja e shfaqjes “Femicid në Prishtinë” me regjisor bashkëshortin e saj i cili e vrau me spektatorë të vetëm fëmijët e tyre. E vrau me porosi dhe duke lënë kaparin prej 15 mijë eurosh, sikur të ishte duke blerë një tokë dhe donte të sigurohej që do të mbetej e tija. Pronë nga e cila kishte në plan të shfrytëzonte çdo “metër katror”, pasi sigurimi jetësor që i kishte paguar ai vetë Liridonës në rast të një tragjedie do t’i kalonte atij në llogari 20 milionë euro.

“Kjo punë duhet të kryhet sot”! Ky ishte urdhri i Naim Murselit vetëm disa orë përpara se ta vriste, e më pas ta qante me dorë në zemër. E vrau natën dhe e qau ditën. E vrau natën dhe u viktimizua ditën. E vrau natën në lule të rinisë dhe i çoi kurorën më të bukur me lule ditën e lamtumirës së saj të fundit. Natën i flinte pranë, ndërsa ditën i organizonte vrasjen…

Ky s’është i pari Naim e madje nuk do të jetë as i fundit. E Liridona sigurisht do ketë shumë më shumë… vajza e gra që përqafojnë, puthin dhe bëjnë dashuri me vrasësit e tyre. Ashtu si ajo…njëra prej nesh. Një grua e re, një motër e dashur, një bashkëshorte e devotshme, një viktimë e shoqërisë sonë maskiliste që nuk e trondit asgjë.

Ky s’është i pari Naim, por thellë në zemër shpresoj të jetë i fundit.