Nga Ermal Peçi!
Ishte viti 2014 kur në atë kohë një prej njerëzve më euruditë që kishte Partia Socialiste filloi të paralajmëronte pasojat që do të kishte Shqipëria, dhjetëvjeçarin e ardhshëm në qoftë se Edi Rama nuk do të ndryshonte mënyrën e qeverisjes. Ben Blushi publikoi një libër me ese, ide dhe debate, të cilën e titulloi “Hëna e Shqipërisë”.
Një libër që trazoi ujërat e shoqërisë dhe ngjalli debate të shumta si brenda mazhorancës dhe brenda opozitës gjithashtu duke anatemuar frymën pesimiste dhe artikular mendime mbi baza optimiste, por që treguesi i të vërtetës, koha, i dha të drejtë Ben Blushit.
Në atë kohë askush nuk e dinte që Sali Berisha do të vinte një moment e do të shpallej non grata dhe askush nuk do ta besonte se ai do të ishte luditi i progresit brenda të djathtës dhe do të kishte peshën kryesore në rolin e izolantrikut shqiptar.
Ben Blushi shkruan se: “Shqipëria duke pasur dhe sëmundjet e veta ndoshta do të vuajë edhe më shumë si çdo trup i lodhur që pëson kolaps edhe nga një grip i huaj. Ndikimi në Shqipëri do të jetë ekonomik, por gradualisht edhe politik.
Pakënaqësia për klasën politike do të rritet. Shqiptarët do të bëhen edhe më skeptikë për partitë e tyre duke besuar se mungesa e reformave, rënia ekonomike, borxhet, papunësia dhe korrupsioni kanë përgjegjës ata që kanë zgjedhur”. Ky është terreni i përsosur ku do të lindin anti perëndimorë si në elitën politike edhe në elitën financiare sepse në realitetin shqiptar elita politike dhe elita financiare po bëhet një trup i vetëm, pra oligarkët e Sali Berishës u bënë oligarkët e Edi Ramës, pra duke ndryshuar vetëm fanellat, por duke luajtur në të njëjtën fushë futbolli që e ka emrin Shqipëri.
Ben Blushi ndër të tjera thotë: “ Kur flas për izolantrikët kam parasysh një njeri, i cili mendon se jeton mirë në habitatin e vet dhe arsyet për ta ndryshuar atë janë të vogla për të mos thënë të panevojshme. Izolantriku shqiptar është i pasur.
Ai e nis ditën njëlloj, pavarësisht se çfarë ndodh përrreth tij, në Shqipëri ose në botë dhe e mbaron duke llomotitur të njëjtat thashetheme të detajuara çdo mbrëmje”.
Rasti tipik i Sali Berishës, kur i gjithë graviteti mediatik dhe faktori ndërkombëtar u fokusua në sulmin terrorrist të Hamasit kundër Izraelit, Sali Berisha denonconte “masakrën elektorale të 14 majit” dhe i tregonte kryesisë së tij se bashkimi me deputetët e Bardhit po ecën shumë mirë dhe se të gjithë këta do t`i fusin frikën dhe do të mundin regjimin e Ramës. Këtë fabul, jo vetëm e thotë Berisha në çdo dalje të tij, por edhe deputetët që janë pranë tij po përdorin të njëjtën gjuhë komunikimi si ai. PD, është Berisha edhe Berisha është PD. Kjo gjuhë e vjetër me mendësi të një kohe të kaluar, të paaftë për të përcjellë shtetformim, politikbërje të shëndetshme, mirëqenie, janë vetëm simptomat e izolantrikëve shqiptarë, të cilët flasin si perëndimorë, por sillen si orientalë e përçues kaosi.