E mbaj mend saktësisht kur gazetaria shqiptare u pushtua nga llumi

Alba Malltezi: E mbaj mend saktësisht kur gazetaria shqiptare u pushtua nga llumi

Gazetaria shqiptare nuk është në ditët e saj më të mira. Prej kohësh forma dhe përmbajtja tejkalojnë, shkelin vija të kuqe të një etike profesionale dhe njerëzore dhe marrin forma titujsh protalesh apo mediash ku, që në krye nuk fshehin fjalë si “bomba”, “shpërthime”, “lëpirje”, “shantazhe”, “kërcënime”.

E megjithatë, për të gjithë bashkëkombasit e rinj që nuk kujtojnë dhe nuk dinë, nuk nisi kështu historia postkomuniste e gazetarisë shqiptare. Mediat e para që u hapën mblodhën rreth tyre të rinj intelektualë, ëndërrimtarë dhe qëllimemirë për të ndryshuar, për të informuar, për t’i shërbyer informacionit dhe vendit sa më drejtë dhe mirë. Ishin kohët që të shihje një shkrim të publikuar me emrin tënd në “Gazeta Shqiptare”, “Koha Jonë” apo në të tjera media të para të lira, ishte një ëndërr dhe sigurisht tepër e vështirë. E vështirë, pasi redaktorët e parë në këto gazeta ishin intelektualë si Carlo Bollino, Fatos Baxhaku, Armand Mero, Andrea Stefani, apo Nikollë Lesi, Ben Blushi, Aleksandër Frangaj që të parën gjë që nuk toleronin dot ishte: padituria apo shpikja e fakteve. Të punoje gazetar në këto redaksi duhet të lodheshe gjithë ditën për të kërkuar lajme të vërteta. Profesioni i gazetarit ishte sa i bukur, aq edhe i vështirë.

Sot nga portalet nuk është më e njëjta gazetari, një “copy paste” nga mediat e tjera është shumë më i kollajtë dhe i shpejtë. Verifikimi? As nuk bëhet fjalë, nëse dikush ka gënjyer me qëllim, qindra të tjerë e shpërndajnë me shpejtësinë dhe lehtësinë e një lajmi që konsiderohet “bombë” apo i barabartë me etikën e një portali “pornografik”, nxit kuriozitetin klandestin (like) duke korruptuar shpirtrat.

Personalisht e kam shumë të kristalizuar kohën kur llumi iu afrua vrullshëm gazetarisë. Ishte mesi i viteve ’90. Ishin vitet kur brezi i parë i gazetarëve ishte i impenjuar në redaksi dhe në terren nevojiteshin gazetarë të rinj, me forcën dhe pasionin për ta bërë njësoj si të parët punën e mbledhjes së lajmeve dhe verifikimit të tyre. Por në këtë pikë jo të gjithë e kishin forcën, ambicjen dhe dëshirën. Mungonin edhe fondet. Ishte koha kur biznesmenët iu afruan gazetarisë dhe ata nuk dinin apo nuk donin më gazetarë. Ja çfarë donin në të vërtetë:

Më kujtohet një nga suplementët e parë që bëmë te “Gazeta Shqiptare” dhe Fatos Baxhaku kishte sjellë në redaksi studentët e tij, ndër të parët në degën e sapohapur të gazetarisë. Mes tyre kishte të rinj brilantë, esetë e tyre të para në këtë suplement i kujtoj edhe sot, flisnin për magjinë e Fan Nolit, për Tiranën që rimëkëmbej, për të drejtat e vajzave në Shqipëri. Por ky grup gazetarësh të rinj shpejt u punësua nëpër organizata joqeveritare, nëpër institucione ndërkombëtare etj. Kush mbeti në gazetari? Më kujtohet njëra prej tyre, kishte bërë një ese fare të dobët, të papranueshme, të papublikueshme dhe këtë e dinte, por erdhi tek unë duke folur, spiunuar, sharë të gjithë “kolegët” e saj më të mirë, që t’i pengonte  dhe të zgjidhnim shkrimin e saj për publikim. Ishte vulgare, e frikshme, e jashtëzakonshme, e paimagjinueshme në ligësi. Më vonë e lexova se kishte nisur punë në një gazetë të rëndësishme të hapur nga këta botues-biznesmenë dhe prej aty, në media të tjera elitare, nga ku vazhdon të bëjë “shpërthime” e të shumëfishojë e mbështesë këdo që shpif e shpërthen njësoj.

Ai ishte momenti kur gazetaria shqiptare u pushtua nga llumi i etikës, një llum i pandalshëm, si ai që përmbyt shtëpi e të mbjella pas një rrebeshi. E megjithatë, kjo baltë, kjo përmbytje e përmbysje vlerash nuk mund të jetë e përjetshme, as në median shqiptare.