Uragani shkatërrues Milton godet Floridan/ Dëme të konsiderueshme, mbi 2 milionë shtëpi e biznese pa energji

Uragani Milton është stuhia e tretë me shpejtësinë më të madhe të regjistruar në oqeanin Atlantik që mbërrin në bregun perëndimor të Floridës, duke kërcënuar jetët e banorëve dhe me përmbytje të gjerë të zonave të ulëta. Nëpërmjet një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Joe Biden bëri thirrje mbrëmjen e së mërkurës që popullsia të ndjekë të gjitha udhëzimet e autoriteteve.

Më shumë se 2 milionë shtëpi dhe biznese janë tani pa energji në të gjithë Florida, me lagje të tëra në errësirë. Mediat shkruajnë se në kontenë St Lucie në bregun lindor të shtetit ku zyrtarët thanë se kishin goditur tornadot, dyshohet për disa viktima por numri mbetet i paqartë.

Miliona njerëz u larguan nga shteti gjatë të mërkurës pasi u vendosën dhjetëra paralajmërime për përmbytje, tornado dhe stuhi. Gjatë natës pati raportime për përmbytje, ndërsa pamjet tregojnë bregun perëndimor të Floridës që përfshihet nga erëra të fuqishme.

Kjo video tregon sesi  rrufeja ndërpreu për pak kohë energjinë në semaforët ndërsa uragani Milton goditi  Floridan qendrore. Në shumë qytete tornadot vdekjeprurëse shkatërruan mbi 100 shtëpi. Deri tani, uragani ndodhet rreth 120 km në jug të qytetit të Orlandos shoqëruar me erëra deri në  165 km/h. Orlando dhe zonat bregdetare rreth qytetit të Daytona Beach në bregun lindor janë gjithashtu nën paralajmërimin e përmbytjeve.

Pavarësisht rënies së intensitetit, ai pritet të mbetet në fuqinë e uraganit gjatë gjithë kohës që lëviz mbi tokë përpara se të shpërndahet mbi Atlantik në ditët e ardhshme. Autoritetet shtetërore kanë vendosur rreth 10,000 anëtarë të Gardës Kombëtare, me deri në 20 milionë pako ushqimesh dhe 40 milionë litra ujë gati për t’u shpërndarë.

Megjithëse u dobësua nga një uragan i kategorisë 4 në një uragan të kategorisë 3, Presidenti Biden theksoi se uragani Milton mundet të shkaktojë shkatërrim të gjerë. Ai u bëri thirrje banorëve që nuk janë evakuar, të qëndrojnë në vendstrehime dhe dënoi përpjekjet për keqinformim në lidhje me përpjekjet e agjencive qeveritare.

Qendra Kombëtare e Uraganëve njoftoi të mërkurën se pavarësisht rënies së fuqisë së uraganit, “Miltoni mund të vazhdojë të ketë forcën e një uragani të madh dhe se do të mbetet i tillë përgjatë të enjtes ndërsa përshkon Floridan”.

Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve, Miltoni lëvizi drejt verilindjes përgjatë Gjirit të Meksikës dhe iu afrua tokës përreth Gjirit të Tampës në Florida, të mërkurën vonë në mbrëmje. Milton ka lëvizur i shoqëruar nga erëra me shpejtësi maksimale e të qëndrueshme prej rreth 249 km/h.

Pse është aq i fuqishëm Milton?

Ujërat jashtëzakonisht të ngrohta në Gjirin e Meksikës këtë vit kanë nxitur rritjen e shpejtë të Miltonit. Ujërat në sipërfaqen e oqeanit kanë arritur temperatura rekord prej rreth 32 gradë Celsius gjatë dy sezoneve të fundit verore, sipas Administratës Kombëtare mbi Oqeanet dhe Atmosferën.

Zonat e evakuimit

Autoritetet lëshuan urdhra evakuimi të detyrueshme për të paktën një pjesë të banorëve, që ndodhen në 15 nga 67 qarqet e Floridës, ose përgjatë pjesës më të madhe të bregut perëndimor.

Kjo përfshin shumë prej 3.1 milionë banorëve që jetojnë në zonën metropolitane të Tampës, një grup i dendur komunitetesh përgjatë bregdetit dhe në ishujt e Gjirit të Tampës, i cili nuk ka qenë në gjurmët e një uragani prej më shumë se një shekulli.

Krahasimi mes Miltonit dhe uraganit Helen?

Shumë nga komunitetet që preken nga Miltoni u goditën muajin e kaluar nga uragani Helene dhe ende nuk e kanë marrë veten nga pasojat e tij. Uragani shkaktoi vdekjen e më shumë se 200 personave e përmbytje katastrofike kryesisht në pjesën perëndimore të Karolinës së Veriut dhe në lindje të Tenesit.

Pesë uraganët më të fuqishëm të Atlantikut?

Milton është tashmë uragani i pestë më i fuqishëm i regjistruar në Atlantik. Uragani më intensiv i regjistruar para tij ishte Wilma në vitin 2005, ndjekur nga Gilbert në vitin 1988, ai që njihet si uragani i Festës së Punës, i vitit 1935, si dhe Rita në vitin 2005.

Check Also

Plagosi me thikë në qafë ish-partneren 4 ditë më parë, gjykata e Korçës lë në burg 41-vjeçarin! Shkak për konfliktin, borxhi 5 milionë lekë

Plagosi me thikë në qafë ish partneren e tij 4 ditë më parë, gjykata e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *