Presidenti Erdogan sot në Tiranë, inagurohet xhamia e Namazgjasë/Pritet me ceremoni nga Begaj, takim kokë më kokë me Ramën

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan mbërrin zhvillon sot një vizitë në Tiranë, ku pritet edhe inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë. Axhenda e Erdogan në Tiranë parashikon takim me presidentin Bajram Begaj, si edhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të ketë edhe një konferencë për shtyp.

Vizita e presidentit turk do të mbyllet me inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë, ku i pranishëm do të jetë edhe Rama. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, është lënë jashtë kësaj ceremonie, fakt i njoftuar publikisht nga vetë ai, ndërsa në emër të komunitetit, në inaugurim do të jetë Myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili pritet të jetë edhe imami zyrtar i Xhamisë së Madhe.

Për menaxhimin e xhamisë së ndërtuar si një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, do të ngrihet një Fondacion, në krye të të cilit do të jetë imami i Xhamisë së Namazgjasë, në përbërje të të cilit mund të ketë edhe përfaqësues nga Turqia.

Ndërsa Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me anë të një postimi thekson se ky institucion do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës turke, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej. Punimet për objektin e ri të kultit me një sipërfaqe prej 6 mijë metra katrorë nisën në vitin 2015, një investim i Komunitetit Mysliman të Turqisë në vlerën e 30 milionë eurove.

Inaugurimi do të jetë në orën 16:50, por përpara këtij eventi, presidenti Erdogan që mbërrin në Rinas në orën 11:00, do të pritet nga presidenti Begaj dhe kryeministri Rama.Me kryeministrin Rama, veç takimit kokë më kokë dhe delegacioneve, do të nënshkruajë edhe 3 marrëveshje për arsimin, bujqësinë dhe me agjencinë për median dhe informimin. Më pas Rama e Erdogan do të dalin në një deklaratë të përbashkët.

AXHENDA E VIZITËS

Në orën 11:30, presidenti turk do pritet në Presidencë me ceremoni, ndërkohë do zhvillojë edhe një takim kokë më kokë me Begajn. Më pas në 12:15 pritet takimi me kreun e qeverisë në ambientet e Kryeministrisë. Axhenda do të vijojë me mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes delegacioneve të dy vendeve në orën 13:15.

Rreth orës 14:35 pritet konferenca për shtyp mes Ramës dhe Erdogan, ndërkohë që në orën 14:15 pritet të nënshkruhen 3 marrëveshje mes delegacioneve të dy vendeve. Ndërkohë, rreth orës 15:00, në Pallatin e Brigadave pritet të shtrohet një dregë në nder të presidentit Edogan.

11:30- Ceremonia e pritjes në presidencë, takim kokë më kokë me presidentin Begaj
12:15- Takimi Tête-à-tête i Kryeministrit Edi Rama me Presidentin Erdoğan
13:15- Këshilli i Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi
14:25- Firmosja e marrëveshjeve respektive mes dy vendeve
14:35- Deklaratë e përbashkët e Kryeministrit Rama – Presidentit Erdoğan
15:00- Drekë në Pallatin e Brigadave
16:50- Ceremonia e inaugurimit të Xhamisë

Erdogan sot në Tiranë, ‘blindohet’ kryeqyteti! Ja rrugët që bllokohen dhe oraret

Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës së Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili mbërrin sot në Tiranë për inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë.

Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës, në Tiranë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar

Rrugë të tjera që do të bllokohen
Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.

Erdogan sot në Tiranë, anulohet seanca në Kuvend

Kuvendi nuk do të zhvillojë seancën plenare që ishte parashikuar të mbahej ditën e sotme, ndërsa në Tiranë do të mbërrijë presidenti turk Erdogan. Ky i fundit do të inaugurojë xhaminë e Namazgjasë, që ndodhet pranë Kuvendit, por të paktën zyrtarisht Kuvendi nuk thotë se arsyeja e anulimit të seancës plenare është vizita e Erdogan.

Grupi Parlamentar i PD që kishte paralajmëruar për kaos në këtë seancës ka reaguar pas njoftimit për anulim, duke thënë se kryetarja nuk është konsultuar. Në reagim thuhet se ky është një vendim personal i Elisa Spiropalit, të cilën PD e cilëson antikushtetues.

“Anulimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës”, thuhet në reagimin e PD.

Një pjesë e ministrave dhe deputetëve socialistë do të jenë të pranishëm në pritjen e Erdogan në Kryeministri, ku do të nënshkruhen edhe 3 marrëveshjeve mes delegacioneve të dy vendeve.

“Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 10 tetor, është anuluar dhe do të zhvillohet në datën 17 tetor, me rend dite të përbashkët, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Seanca e radhës plenare është caktuar më datë 17 tetor.