OKB: Një e katërta e popullsisë së botës pa ujë të pijshëm të sigurt

 

Një raport i publikuar në prag të konferencës së parë të OKB-së për ujin në më shumë se 45 vjet, thotë se 26% e popullsisë së botës nuk ka qasje tek uji i pijshëm i sigurt dhe 46% nuk kanë qasje tek elementet bazë të higjienës.

Raporti i OKB-së për Zhvillimin Botëror të Ujit 2023, i publikuar të martën, ofron një pamje të zymtë të hendekut të madh që duhet të tejkalohet për të përmbushur objektivat e OKB-së, për të siguruar që të gjithë njerëzit të kenë qasje tek uji i pastër dhe elementet bazë të higjienës deri në vitin 2030.

Richard Connor, kryeredaktor i raportit, tha në një konferencë shtypi se kostoja e vlerësuar për përmbushjen e objektivave është midis 600 miliardë dhe 1 trilion dollarë në vit.