Grupi i parë i emigrantëve të paligjshëm, të cilësuar nga zyrtarët amerikanë si “ndër më të rrezikshmit”, po mbahet në qelitë e paraburgimit në Guantanamo, në pritje për t’u dëbuar drejt vendeve të origjinës.
Pentagoni konfirmoi të mërkurën se 10 “emigrantë të paligjshëm që paraqesin kërcënim të lartë” mbërritën një ditë më parë në qendrën amerikane të paraburgimit në Gjirin e Guantanamos.
Ata po mbahen nën vëzhgimin e punonjësve të rendit për emigracionin.
Emigrantët që mbërritën të martën do të mbahen në objektin e paraburgimit, sipas një zyrtari amerikan.
Burgu i Guantanamos njihet kryesisht për strehimin e të burgosurve ushtarakë dhe të dyshuarve për terrorizëm, mes tyre dhe të përfshirët në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe talebanët.
“Nëse je një pjesëtar i dhunshëm i bandave, ne do t’ju vendosim në një qeli që është ndërtuar për al Kaidën përpara se t’u dërgojmë në vendin tuaj”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në një intervistë për rrjetin “Fox News” këtë javë.
Në urdhrin e tij ekzekutiv muajin e kaluar, Presidenti Trump udhëzoi departamentet e Mbrojtjes dhe të Sigurisë Kombëtare që të përgatisin bazën detare në Guantanamo për të strehuar deri në 30,000 emigrantë. / VOA