Mbyllet mbledhja e Komisionit Rregullator në KQZ pa miratimin e pr.vendimit për organizimin e zgjedhjeve në Himarë. Mes debateve të shumta që u zhvilluan në mbledhje, anëtarët votuan 3 pro dhe 2 kundër miratimit në parim, kështu kryetarja mbylli mbledhjen pasi për miratimin e pr.vendimit duhej një shumicë votash 4 me 1.
Anëtari i Komisionit Rregullator Muharrem Çakaj thotë se vendimmarrja e KQZ për heqjen e mandatit të Fredi Belerit është e pavlefshme. Sa i takon dekretit të Begajt për shpalljen e zgjedhjeve më datë 4 gusht, Çakaj thotë se akti është i pavlefshëm pasi duhej pritur të kaloni afati për ankimin e vendimmarrjes së KQZ.
“Lidhur me aktin që është sjell para komisionit rregullator për zgjedhjet e pjesshme të Himarës që zhvillohen më datë 4 gusht, siç e theksova dhe më parë dhe pasi ma konfirmoi sekretarja e KQZ, më rezulton që akti iniciues që ka çelur siparin e kërkesës së Këshillit të Ministrave dhe dekretit të Presidentit të jetë marrë në mungesë të kompetencës për të shqyrtuar pavlefshmërinë e mandatit për një kandidat. Baza ligjore e përdorur nga KQZ është ligji për dekriminalizimin, ndërkohë që ligji për dekriminalzimin bën fjalë për ngjarje dhe situata juridike që do duhet të kenë ndodhur para kandidimit dhe kandidati për bashkinë e Himarës ose si ka bërë të ditura, ose ka qenë në kushtet e ndalimit. Vendimmarrja është e pavlefshme. Akti që ka iniciuar këtë proces është i pavlefshëm. Pavarësisht kësaj, edhe në hipotezën se ky akt do vlerësohet nga gjykatat, në pikën 3 të këtij akti ne kemi të parashikuar që mund të bëhen ankim në KAS. Po ditën që është marrë vendimi i KQZ, kemi një vendimmarrje me një shpejtësi të rrufeshme gjithë institucionet kanë caktuar datën, që ishte e paracaktuar, datën 4 gushte për zhvillimin e zgjedhjeve në Himarë. Akti është i pavlefshëm dhe gjithë pasojat nuk qëndrojnë. Nuk është respektuar afti 30 ditor. Duhet të presim vendimin e Gjykatës para se të miratojmë këtë akt”, tha Çakaj.
Ndërkohë, Ilirjana Nano u shpreh se nuk kanë kompetencë që të vlerësojnë vendimmarrjen e KQZ.
“S’jemi për të vlerësuar vendimmarrjen e KQZ. Nëse do ketë ankim është një organ tjetër që vlerëson mbi bazë ankimi vendimmarrjen”, tha Nano.