Zgjedhja e Papës së ri/ Nis procesi më sekret në botë, kardinalët mbyllen në Vatikan pa televizor, internet apo gazeta
Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut më 21 prill, Vatikani po përgatitet për një nga proceset më të mistershme dhe simbolike të Kishës Katolike: zgjedhjen e Papës së ri.
Ky proces, i njohur si Konklava, konsiderohet si një nga aktet demokratike më sekrete në botë. I zhvilluar pas dyerve të mbyllura dhe me rregulla strikte, ai mbledh 120 kardinalë nga e gjithë bota që kanë të drejtë vote për të përcaktuar drejtuesin e ardhshëm të Selisë së Shenjtë.
Çfarë ndodh pas vdekjes së Papës?
Vdekja e Papës shpallet nga Kamerlengoja – një kardinal që merr drejtimin e përkohshëm të Vatikanit – në prani të Mjeshtrit të Ceremonive Papnore dhe disa përfaqësuesve të tjerë. Pas kësaj, shpallen nëntë ditë zie zyrtare dhe trupi i Papës vendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku besimtarët mund t’i bëjnë nderimet e fundit.
Rregullat e Konklavës
Pas përfundimit të periudhës së zisë, nuk mund të nisë menjëherë zgjedhja e Papës së ri. Sipas rregullave, duhet të kalojnë të paktën 15 ditë për të lejuar që të gjithë kardinalët të mbërrijnë në Romë. Nga gjithsej 252 kardinalë të gjallë, vetëm 138 janë nën moshën 80 vjeç dhe kanë të drejtë të marrin pjesë në votim.
Ata do të strehohen në Shtëpinë e Shën Martës, brenda Vatikanit, ku do të kenë kushte të kontrolluara: ushqim, shërbim shëndetësor me dy mjekë (njëri kirurg) dhe ndihmë teknike, por nuk do të kenë asnjë kontakt me botën e jashtme – as televizione, as internet, as gazeta, dhe as telefonata.
Si zhvillohet votimi?
Procesi i votimit zhvillohet në Kapelën Sistine, ku kardinalët hyjnë çdo ditë për të votuar të veshur me rroba blu dhe shiritat e kuq. Ata mbyllen aty për votimin që bëhet në fshehtësi të plotë. Çdo kardinal plotëson një fletë votimi, në të cilën shkruan emrin e kandidatit që mbështet, dhe më pas e vendos në një enë të posaçme.
Votat numërohen nga tre skrutatorë (numërues), dhe në fund të çdo raundi, fletët digjen së bashku me çdo shënim tjetër që mund të ketë lidhje me procesin. Tymi i bardhë që del nga oxhaku i Kapelës Sistine njofton përzgjedhjen e Papës së ri, ndërsa tymi i zi tregon se votimi ka qenë i pasuksesshëm.
Rregulla të rrepta dhe histori interesante
Kardinalëve u ndalohet kategorikisht të bëjnë marrëveshje mes tyre, të ndërmarrin fushata personale apo të marrin kontakte të jashtme. Çdo shkelje mund të sjellë përjashtim nga procesi dhe dënime të tjera nga Kisha. Kujtojmë se në vitin 1958, Radio Vatikani gaboi duke njoftuar zgjedhjen e Papës një ditë më herët për shkak të interpretimit të pasaktë të tymit.
Në të kaluarën, konklava më e gjatë zgjati plot 34 muaj, nga vdekja e Papa Klementit IV në vitin 1268 deri në zgjedhjen e Papa Gregorit X në vitin 1271. Ndërsa në kohët moderne, procesi zakonisht përfundon brenda disa ditësh. Konklava që zgjodhi Papa Françeskun në vitin 2013 zgjati vetëm dy ditë.
Kandidatët potencialë
Edhe pse nuk ka asnjë rregull që thotë se Papa i ri duhet të jetë domosdoshmërisht nga radhët e kardinalëve, tradita e vendosur e bën këtë praktikisht të sigurt. Megjithatë, përzgjedhja përfshin një larmi të gjerë gjeografike dhe etnike, duke reflektuar përhapjen globale të Kishës Katolike.
Pritshmëritë
Bota do të qëndrojë në pritje të tymit të bardhë dhe shfaqjes së Papës së ri në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit, me fjalinë historike: “Habemus Papam” – Kemi një Papë! Deri atëherë, gjithçka do të zhvillohet në heshtje të plotë dhe me solemnitetin që vetëm Selia e Shenjtë mund të ofrojë.