Vinte nga Spanja, shqiptarja kapet me 26 kg marijuanë në aeroportin e Athinës

Policia greke ka arrestuar një grua me origjinë shqiptare në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, e cila kishte fshehur në bagazhet e saj 26.4 kilogramë marijuanë të llojit SKUNK.

Sipas autoriteteve, gruaja është anëtare e një grupi kriminal ndërkombëtar që merret me importimin dhe shpërndarjen e marijuanës në Greqi, nëpërmjet aeroportit të Athinës. Arrestimi i saj u bë pas një operacioni të shënjestruar, ku policia analizoi të dhënat dhe krijoi një “profil” të personave të dyshuar.

E dyshuara u ndalua në zonën e mbërritjeve në aeroport, pasi kishte ardhur nga Spanja. Gjatë kontrollit, policia i gjeti drogën të fshehur në dy bagazhe, së bashku me 195 euro dhe një celular, të cilat u sekuestruan.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët e saj dhe lidhjet me rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës.