Varfëria në Shqipëri, Eurostat: Kryeson në Europë me gati gjysmën e popullsisë
Ekonomia e vendit po rritet me ritme më të shpejta se sa ulja e numrit të personave që vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat Shqipëria kryesoi Europën për nivelin e lartë të popullsisë rreth 42 për qind që është në rrezik për të qenë e varfër pasi vuan nga një formë e rëndë e përjashtimit social me 2024 (Europa të dhëna 2024, Shqipëria 2023).
Të dhënat referojnë se më shumë se 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë.
Të 1 milion shqiptarët jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategoritë e privimit (6 kategori që lidhen me privimin në nivel individi dhe 7 kategori që lidhen me privimin në nivel familje).
Në nivel familje konsiderohen vështirësi: Vonesat në pagesat e kredisë ose të qerasë për banesën kryesore, shpenzimet për shërbimet bazë, blerjet me këste ose pagesa të tjera të kredive të marra;
Pamundësia për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia; Pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar me vlerën 30.000 lekë të reja;
Pamundësia për të përballuar një vakt me mish, pule, peshk (ose ekuivalentin për vegjetarianët) një herë në dy ditë; Pamundësia financiare e familjes për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në mënyrë të përshtatshme;
Pamundësia financiare për të pasur një makinë për përdorim personal dhe Zëvendësimi i mobilieve të vjetra me të reja.
Treguesit për Shqipërinë, sipas Eurostat, janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor ku Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30%./Monitor