Sot shënohet 26-vjetori i masakrës së Reçakut, një prej ngjarjeve më tragjike të luftës në Kosovë. Më 15 janar 1999, në këtë fshat u vranë barbarisht mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë nga forcat serbe. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së, ambasadori William Walker, e cilësoi këtë akt si një krim kundër njerëzimit, duke e kthyer Reçakun në simbol të vuajtjeve dhe rezistencës shqiptare.
Ngjarjet e masakrës
Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, fshati Reçak u rrethua dhe u sulmua me artileri të rëndë nga forcat serbe. Pas bombardimeve, ushtarët serbë hynë në fshat, bastisën shtëpitë dhe ekzekutuan civilët e paarmatosur. Ky krim barbar tronditi ndërgjegjen e botës dhe u kthye në pikënisje për mobilizimin ndërkombëtar që do të sillte ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Aktivitetet përkujtimore
Për të nderuar viktimat:
•Ora 08:30: Homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak nga niveli komunal.
•Ora 10:00: Homazhe nga liderët shtetërorë në Kompleksin Memorial në Reçak.
•Ora 11:00: Akademia Përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
•Ora 17:00: Ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker” në Shtëpinë e Kulturës.
Po ashtu, gjatë ditës do të zhvillohet finalja e turneut memorial “Ditët e Reçakut”.
Komuna e Shtimes ka shpallur 15 janarin 2025 ditë pushimi për të nderuar kujtimin e viktimave të kësaj masakre, që mbetet plagë e pashlyeshme në historinë e Kosovës.