Kreu i Grupit të PD-së është thirrur në SPAK në orën 15:00. Bardhi ka zbuluar SMS që i kanë ardhur në platformën e tij të komunikimit në “Signal” ku përmendet emri i Ervis Martinajt dhe kërkoi nga SPAK të hetojë. Gazment Bardhi, në letrën dërguar Prokurorisë së Posaçme, tregon se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog”.
“Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”, shkruhet në SMS-së dërguar kreut të Grupit të PD-së, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës dërguar në SPAK.
Mes të tjerash ai shprehet se SPAK është vënë në lëvizje
“Siç e dini të hënën kam bërë publike një akt intimidues ndaj meje me dokumente të sajuara dhe që nuk ekzistojnë. SPAK është vënë në lëvizje që atë ditë, kam shprehur gatishmërinë për ti vendosur në dispozicion telefonin tim, do të paraqitem për këtë veprim hetimor të nevojshëm”, tha Bardhi.
Bardhi shprehet se mesazhet janë janë një tentativë për ta intimiduar në ushtrimin e detyrës time si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
“Përmbajtja e mesazheve të dërguara, sajimi i rrethanave dhe fakteve të pandodhura, ndërlidhja e emrit tim me individë krejtësisht të panjohur prej meje, synon frikësimin tim për të mos përballur me fakte konkrete të paligjshmërisë subjekte të posaçme apo eksponentë të krimit të organizuar, që janë nën hetim apo verifikim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, theksoi ai.