U kthye në makthin e bandës së Ervis Martinajt, kush është Roan Brahimi që u ekzekutua në Greqi për hakmarrje pas gjakderdhjes në Fushë-Krujë

Lezha u trondit këtë të enjte (17 prill) nga një vrasje. Viktime mbeti Gjovalin Prendi 65 vjeç, i cili rezulton të jetë edhe babi i Roan Brahimit alias Sidorel Prendi, edhe ky i ekzekutuar në një atentat mafioz në Athinë rreth një vitë më parë.

Ekzekutimi i sotëm ndodhi në fshatin Pllane në derën e lokalit të tij nga persona ende të paidentifikuar. Fillimisht 65-vjeçari mbeti i plagosur dhe u transportua në spital, por më pas ndërroi jetë.

Roan Brahimi dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes në 15 mars 2024 në Larushk të Krujës.

Kush ishte Roan Brahimi (Sidorel Prendi)?

Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin e vërtetë Sidorel Prendi, ishte një nga figurat më enigmatike dhe të përfolura të botës së krimit në Shqipëri vitet e fundit. I përfshirë në disa prej atentateve më të bujshme dhe të përgjakshme të viteve të fundit, ai u cilësua si “fantazma” që kishte shpallur luftë të hapur bandës së Ervis Martinajt, ish-“mbretit të kumarit”.

Roani mori mbiemrin “Brahimi” nga gruaja e tij e parë, e cila ishte pjesë e fisit Brahimi, me lidhje të forta me njerëz të afërt të Ervis Martinajt. Emri i tij i lindjes ishte Sidorel Prendi dhe ai ishte me origjinë nga fshati Pllanë i Lezhës.

Përplasja e tij me njerëzit e Martinajt filloi pas një borxhi të lidhur me lojërat e fatit. Ai u tradhtua nga Ylli Brahja – një nga figurat kryesore financiare të grupit Martinaj – dhe përfundoi i dhunuar barbarisht në një nga bazat sekrete të Martinajt. Që nga ai moment, ai nisi një hakmarrje të egër ndaj grupit që e kishte torturuar.

Atentatet e bujshme ku dyshohet si autor

Roan Brahimi u përfshi në hetime për disa atentate të bujshme, përfshirë:

-Vrasjen e Brilant Martinajt, Dikler Vatës dhe Besmir Hoxhës në Fushë-Krujë (korrik 2022)

-Atentatin me 108 plumba ndaj Ylli Brahjas dhe Klisman Preçit në Milot (korrik 2022)

-Sulmin me armë në një lokal në Zejmen, Lezhë, bashkë me Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozin

-Ekzekutimin e Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës (mars 2024), ku dyshimi mbi të u forcua nga lidhja familjare me njërin prej atentatorëve të arrestuar.

Ai kishte lidhje të ngushta me Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist Rrahman Rraja, ndërsa u përfol për mbështetje nga bosë të zonës së Niklës, që dyshohet se e përdorën në atentate kundër rivalëve të tyre.

Vrasja e Roanit

Nje vit me pare persona të panjohur me motor qëlluan për vdekje shqiptarin, i cili ishte në makinë me gruan e tij, e cila u plagos lehtë. Makina ishte ndalur në kryqëzimin e rrugëve Messolongiou dhe Tsaldari.

Fëmija shtatë vjeçar i çiftit, i cili po luante në shesh me gjyshen, ka parë me sytë e tij vrasjen e të atit, sipas dëshmitarëve okularë. Ekzekutorët raportohet se vëzhgonin çdo lëvizje të familjes së viktimës, ndërsa, mesa duket, kanë ruajtur një vend parkimi për Roan Brahimin për ta futur në kurth.

Autorët kanë parë shënjestrën e tyre duke mbërritur dhe më pas, kanë ndezur motorin duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Në këtë mënyrë vrasësit kanë lënë të lirë një vend parkimi që do të shërbente si “karrem” për 32-vjeçarin, i cili parkoi automjetin aty duke pritur për të marrë fëmijën.

Ekzekutorët qarkulluan me motor rreth sheshit dhe u kthyen sërish në vendngjarje, ku njëri prej tyre qëlloi viktimën pa u shqetësuar për kalimtarët, sipas MEGA që ka rindërtur me video dinamikën e krimit.

Dy autorët mbajnë skafanda të errëta që mbulojnë tiparet e tyre. Ata qëndrojnë pranë derës së shoferit dhe qëllojnë.

Dy plumba i morën jetën të riut. Gruaja e tij fillimisht humbi fillimisht ndjenjat dhe kur i erdhi vetëdija, zbriti nga sedilja e pasagjerit e gjakosur.