Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme e cila i hoqi masën e ‘arrestit të shtëpisë’ Sali Berisha, në selinë blu kryedemokrati mbajti konferencën e parë me gazetarët pas lirimit nga arresti shtëpiak.
“U krye dhe kjo! Piramida me e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane të pas Luftës së Dytë Botërore mori sot goditjen më fatale! Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe. Sot, Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë! Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht. Dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bënë ndaj saj.
Sot, ne së bashku, sakrifica e 330 ditëve, nundi i 3 viteve, triumfiu dhe u shpërblye. Ne qëndruam, qëndruam dhe vetëm qëndruam për të vërteten dhe vlerat që besojmë. Mbas një kohe të gjatë që Shqipëria nuk sheh një ditë të mirë. Mbas një kohe të gjatë, që Shqipëria është zhytur në errësirë. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët. Sot është një ditë e mirë për opozitarët. Një ditë shprese.
Por sot, është një ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës. Sepse sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta. Sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta! Sot ka fituar Shqipëria!” tha Berisha.
Berisha u vendos nën arrest në 30 dhjetor të vitit të kaluar në lidhje me aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në kryeqytet.