Stërvitja 5 ditore e RENEA me GSG9, drejtori i Policisë Proda: Bashkëpunim i vlefshëm, u punua në zgjidhjen e një situate pengmarrjeje në aeroportin “Nënë Tereza”

Zhvillohet ceremonia me rastin e përfundimit të stërvitjes së përbashkët të Repartit Special RENEA dhe Repartit Special GSG9 të Policisë gjermane, për rritjen e aftësive taktike operacionale të efektivëve të RENEA-s.

Stërvitja e efektivëve të forcave elitë të Policisë shqiptare dhe asaj gjermane, u zhvillua për 5 ditë radhazi, për zgjidhjen e një situate pengmarrjeje, në aeroportin “Nënë Tereza”.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Repartit Special RENEA, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, Komandanti i Repartit Special RENEA Altin Dardha, Komandanti i Repartit Special GSG9 Kolonel Robert Hemmerling dhe Ambasadori i Gjermanisë Karlfried Bergner.

Gjatë fjalës në këtë ceremoni, Drejtori i Përgjithshëm Proda ka vlerësuar bashkëpunimin me partnerët gjermanë dhe ka theksuar se kjo stërvitje do t’i shërbejë shumë efektivëve të RENEA-s, për rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale, të cilat do t’i përdorin në zgjidhjen e situatave të vështira në të ardhmen. Ai ka falënderuar qeverinë gjermane dhe kolegët e Policisë gjermane, për mbështetjen e pakursyer dhe ka siguruar se Policia e Shtetit është një partnere serioze, profesionale dhe e besueshme për të zhvilluar bashkërisht me partnerët gjermanë, hetime dhe veprime operacionale në luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Karlfried Bergner vlerësoi mikpritjen dhe stërvitjen e përbashkët dhe theksoi se tashmë ndihet më i sigurtë në Shqipëri.

Komandanti i Repartit Special RENEA Altin Dardha dhe Komandanti i Repartit Special GSG9 Kolonel Robert Hemmerling vlerësuan stërvitjen e efektivëve të dy forcave elitë, e cila është një dëshmi e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë mes policive të dy vendeve.