33-vjeçarja shqiptare që u përdhunua dhe më pas u godit me thikë dhe u mbajt peng nga një i ri palestinez në Greqi ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi.
Në dëshminë e saj, shqiptarja ka thënë se me 27-vjeçarin është takuar në orën 02:00 të mëngjesit dhe së bashku kanë rënë dakord që të shkojnë tek shtëpia e tij, por thekson se nuk e kishte menduar se do të përjetonte një torturë të tillë.
“Nuk mund të lëvizja. Ai më kishte mbyllur. Më kapi paniku. Mendova se do të vdisja. E takova pak pas orës 02:00 të mëngjesit. Asgjë nuk më bëri të besoja atë që do të kaloja. Kur kuptova se kisha bërë një gabim duke e ndjekur, ishte shumë vonë”, tha shqiptarja në rrëfimin e saj.
Siç raportojnë mediat greke, 33-vjeçarja ndodhet në spital në Athinë, pasi frakturat që ka marrë në pjesën e kokës janë të shumta. Po ashtu, ajo ka lëndime edhe në këmbën e majtë, ku i riu nga Palestina e plagosi me thikë.
Nëna e shqiptares, në një intervistë për “Mega” tha se vajza e saj me të riun palestinez kishin disa muaj që njiheshin, ndërsa rasti i dhunës brutale nuk ishte për herë të parë.
“Ajo ka frikë, sepse nuk është hera e parë që e dërgon në spital. Ai e kishte goditur 2 muaj më parë, ajo kishte plagë në sy dhe në kokë”, tha nëna e vajzës.
27-vjeçari u arrestua nga policia pak metra larg banesës ku mbajti peng shqiptaren. Ai u ndalua nga një patrullë e rastit dhe pas kontrollit iu gjet një thikë, çka solli që ai të shoqërohej në komisariat. Por pas gjetjes së vajzës shqiptare që po mbahej peng, u konfirmua nga hetuesit se ai ishte autori, bazuar edhe në pohimin e shqiptares.
I riu palestinez u lirua me kusht. Ai duhet të paraqitet dy herë në muaj në polici si dhe iu ndalua të dalë jashtë territorit të Greqisë.