U arratis nga burgu i Shënkollit, dëshmia e Daut Laze: U fsheha në xhami, më ndihmuan besimtarët myslimanë
Daut Laze, 49-vjeçari që prej datës 4 shkurt ndodhej në arrati pasi ishte arratisur nga burgu i Shënkollit, është arrestuar mbrëmjen e së hënës, më 14 prill, nga efektivët e Komisariatit nr. 6 në Tiranë.
Sipas burimeve nga policia, Laze u kap në zonën e Astirit, ku mësohet se kishte mbërritur së fundmi pas një qëndrimi të fshehtë në disa zona të Tiranës si Kombinat, Fresk dhe Astir. Uniformat blu kishin mbi dy javë që mbanin në vëzhgim banesën e tij, pasi kishin marrë informacione nga inteligjenca policore se ai mund të rikthehej aty.
Në momentin e ndalimit, ai kishte ndryshuar pamjen për të mos u njohur: kishte hequr mjekrën dhe mbante një kapele për t’u maskuar.
Pas arrestimit, Daut Laze është transportuar drejt Drejtorisë së Policisë në Lezhë dhe pritet të merret në pyetje nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve për të sqaruar rrethanat e arratisjes dhe qëndrimit në arrati për më shumë se dy muaj.
Në dëshminë e tij paraprake, Laze ka deklaruar se gjatë kësaj kohe është strehuar në disa xhami të Tiranës, duke përfituar nga muaji i Ramazanit. Ai ka shtuar se është ndihmuar nga besimtarë myslimanë, të cilët i kanë ofruar strehim dhe ushqim, pa e ditur fillimisht se ishte person në kërkim.
Daut Laze u arratis më 4 shkurt 2025 nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, ku ndodhej në vuajtje të dënimit. Rrethanat e arratisjes së tij po hetohen nga autoritetet, ndërsa pritet të merren masa shtesë për sigurinë në ambientet e burgjeve.