I dashuri i qëlloi me armë bashkëshortin në sy të djalit 9-vjeçar, vihet në pranga Melisa Hoxhallari

Policia e Fierit vuri në pranga 29-vjeçaren Melisa Hoxhallari, e cila u shpall në kërkim pas plagosjes me armë të bashkëshortit të saj, Gledian Hoxhallari, 40 vjeç, ngjarje që ndodhi më 5 janar në një lokal në lagjen “Apollonia”. Sipas hetimeve, krimi u krye nga i dashuri i saj, Klement Beqaj, 25 vjeç, në prani të djalit të mitur të çiftit, ndërsa vetë Melisa Hoxhallari dyshohet se ka bashkëpunuar në ngjarje.

Gjykata e Fierit caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Beqaj, autori i dyshuar i të shtënave, vijon të jetë në kërkim.

Ngjarja ndodhi pas një debati për kujdestarinë e djalit 9-vjeçar, mes çiftit që ndodhej në proces divorci prej tre muajsh. Sipas vendimit gjyqësor paraprak, fëmija duhej të qëndronte gjatë ditës me të atin dhe në mbrëmje me nënën. Ditën e ngjarjes, Glediani kishte ftuar ish-bashkëshorten në një lokal në zonën e “Zogut të Zi” për t’i dorëzuar djalin. Ajo mbërriti me të dashurin dhe pas një debati verbal, Klement Beqaj nxori armën dhe e qëlloi 40-vjeçarin.

Pas atentatit, Melisa dhe Klementi u larguan nga vendngjarja duke lënë fëmijën me të atit e gjakosur. Pavarësisht kërkesës së djalit që nëna të mos largohej, ajo u largua së bashku me autorin. Hoxhallari u transportua në gjendje kritike drejt Spitalit të Traumës ku iu nënshtrua trajtimit intensiv.

Policia sqaroi se më herët Melisa kishte kallëzuar për dhunë bashkëshortin dhe kishte siguruar një urdhër mbrojtjeje, por gjithsesi ishin lejuar të takoheshin për shkak të procesit gjyqësor për kujdestarinë. Pas ngjarjes, fëmija i mitur është vendosur në kujdesin e gjyshërve nga babai.

Ndaj Beqajt, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Ndërsa ndaj Melisa Hoxhallarit u shtua edhe akuza për “Moskallëzim krimi”. Prokuroria e Fierit vijon hetimet.