Turqia i dorëzoi UNESCO-s hartën me Detin Egje të ndarë në dy pjesë, Athina përgjigjet: Greqia i ka siguruar kufijtë me vulën evropiane

Një tjetër episod i tensionuar është regjistruar në marrëdhëniet greko-turke, pasi Turqia i ka dorëzuar UNESCO-s një hartë detare të diskutueshme, ku paraqitet Deti Egje i ndarë në dy pjesë. Ky veprim i Ankarasë shihet si përgjigje ndaj nismës së Greqisë për të krijuar një zonë të mbrojtur detare në Egjeun Jugor, duke rigjallëruar njëherazi mosmarrëveshjet e vjetra mbi kufijtë detarë dhe ujërat territoriale mes dy aleatëve të NATO-s.

Athina zgjodhi të reagojë me maturi. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, e minimizoi këtë iniciativë turke, duke e quajtur atë të pavlefshme në aspektin ligjor. “Greqia ka siguruar kufijtë më të largët potencialë të vendit me vulën evropiane. Kjo është bërë zyrtarisht përpara një organi kompetent që është BE-ja, dhe është një arritje e qeverisë së Kyriakos Mitsotakis që nuk ishte realizuar prej dekadash,” deklaroi Marinakis. Ai theksoi se UNESCO nuk ka asnjë kompetencë për të shqyrtuar ose njohur plane të tilla dhe akuzoi Turqinë se po përpiqet të përvetësojë zona që nuk i përkasin asaj, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në mbledhjen e zhvilluar pas dyerve të mbyllura në Rezidencën Maximos, qeveria greke e konsideroi reagimin turk si “spazmatik” dhe u shpreh se harta e Greqisë e njohur nga BE ka vlerë të vërtetë ligjore. Prioritet, sipas burimeve qeveritare, mbetet forcimi i mbrojtjes dhe shmangia e retorikës përshkallëzuese.

Nga ana tjetër, opozita greke nuk kurseu kritikat. SYRIZA e akuzoi qeverinë se po menaxhon politikën e jashtme pa një strategji të qartë për përballimin e provokimeve turke. Zëdhënësi i partisë, Giorgos Karameros, deklaroi se kjo hartë turke është pasojë e mungesës së një plani të plotë të qeverisë.

Marinakis iu kundërpërgjigj kritikëve duke mbrojtur qasjen diplomatike të Athinës dhe duke theksuar se qëndrimet revizioniste të Turqisë nuk janë të reja. “Turqia ka pasur të njëjtin këndvështrim prej dekadash, duke kundërshtuar ndikimin e ishujve grekë dhe duke promovuar idenë e një vije të mesme midis territorit të saj dhe Greqisë kontinentale,” tha ai. Sipas tij, kërcënimi i casus belli nga Turqia është aktiv prej më shumë se 30 vitesh, por kjo nuk ka penguar vijimin e kontakteve dypalëshe.