Trupi i Ilaria Sulës u hodh nga shkëmbi, dyshime të reja për rolin e nënës së autorit! Gjurmë gjaku në dhoma të tjera, ç’tregojnë plagët në krahët e viktimës
Hetimet për vrasjen e rëndë të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, e cila u gjet e pajetë në një përroskë në Capranica Prenestina një javë pas zhdukjes, kanë hyrë në një fazë të re. Dëshmitë dhe provat e mbledhura në vendin e ngjarjes po shtojnë dyshimet për një përfshirje më të gjerë në krimin makabër, përtej autorit kryesor, ish të dashurit të saj, Mark Antony Samson.
Studentja shqiptare në Universitetin “La Sapienza” në Romë dyshohet se është vrarë brenda shtëpisë së Samson në via Homs, ku janë gjetur gjurmë të shumta gjaku në rrobat e saj dhe në dhoma të ndryshme të banesës, duke hedhur dyshime mbi versionin e dhënë nga autori.
Sipas hetuesve italianë, nëna e autorit, Nosr Manplaz, ka pastruar gjakun në shtëpi dhe ka ndihmuar të birin duke i siguruar lecka, çanta dhe materiale të tjera për të fshehur trupin. Por ajo që po shqyrtohet me më shumë vëmendje është mundësia që ajo e ka parë Ilarian ende gjallë dhe nuk ka kërkuar ndihmë, gjë që do të ngre akuzën e bashkëpunimit në vrasje përmes mosveprimit.
Për momentin, nuk përjashtohet që ajo të ketë qenë e pranishme në shtëpi në momentin kritik. Nëse kjo hipotezë provohet, ajo mund të përballet me akuza serioze penale.
Mark Samson ka dhënë versione të ndryshme dhe të pasakta. Ai pretendon se e vrau Ilarian mëngjesin e 26 marsit “ndërsa po i sillte mëngjesin në shtrat”, por prova të tjera sugjerojnë se vrasja ka ndodhur më herët, ndoshta që në mbrëmjen e datës 25. Gjurmët e gjakut në pantallona dhe xhupin e viktimës tregojnë se ajo nuk ishte zhveshur për gjumë dhe se kishte veshur të njëjtat rroba nga dita e mëparshme.
Autopsia nuk arriti të përcaktojë me saktësi kohën e vdekjes, për shkak të kalbëzimit të trupit, i cili u gjet një javë më vonë i hedhur nga një shkëmb, por tregon se shkaku ishte “shoku hemorragjik” nga tre plagë me thikë në qafë.
Gjurmët e gjakut të përhapura në më shumë se një dhomë sugjerojnë se Ilaria ka tentuar të shpëtojë, ndoshta duke u përpjekur të largohej nga vrasësi përmes një arratisjeje të dëshpëruar. Plagët e gjetura në krahët e saj interpretohen si tentativa për vetëmbrojtje në momentet e fundit të jetës së saj.
Duke marrë parasysh përmasat e banesës (rreth 60 metra katrorë), është e mundur që ajo të ketë lëvizur me vështirësi dhe të ketë kërkuar ndihmë, çka mund të ketë ndodhur në praninë e nënës së Samson, duke e bërë të pabesueshëm pretendimin se ajo nuk ka ditur asgjë.