Trump reagon për mbylljen e TikTok në SHBA: Ndalimi varet nga unë, shihni çfarë do të bëj

Ish-presidenti Donald Trump ka reaguar për vendimin e Gjykatës së Lartë që mbështet ndalimin e TikTok nëse kompania mëmë ByteDance, me bazë në Kinë, nuk shet platformën deri të dielën. Në një prononcim për CNN, Trump ka theksuar se vendimi përfundimtar për ndalimin e aplikacionit do të jetë në dorën e tij.

“Përfundimisht vendimi varet nga unë. Ju do të shihni se çfarë do të bëj,” u shpreh Trump, duke lënë të hapur mundësinë për ndërhyrje të mëtejshme në çështjen e debatueshme.

Gjykata e Lartë argumentoi se lidhjet e TikTok me qeverinë kineze paraqesin një rrezik të lartë për sigurinë kombëtare, duke tejkaluar shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes për 170 milionë përdoruesit e tij në SHBA.

Sipas ligjit të mbështetur nga Gjykata e Lartë, ByteDance duhet të gjejë një blerës të miratuar për degën amerikane të TikTok për të shmangur ndalimin e plotë të aplikacionit. Nëse ndalimi zbatohet, përdoruesit që përpiqen të hapin aplikacionin do të ndeshin një mesazh zyrtar për mbylljen e tij.

Kjo çështje ka shkaktuar polemika të gjera, me shumë përdorues dhe grupe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut që kritikojnë vendimin si një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë e cilësojnë këtë hap si një masë të domosdoshme për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve dhe sigurinë kombëtare.

TikTok nuk ka dhënë ende një deklaratë përfundimtare mbi vendimin, ndërsa afati i skadimit për shitjen e platformës po afrohet.