Trump njofton marrëveshjen tregtare SHBA-Britani, Starmer: Ditë historike për dy vendet

Presidenti Donald Trump ka njoftuar zyrtarisht arritjen e një marrëveshjeje tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Njoftimi është bërë nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një telefonate me kryeministrin britanik Keir Starmer.

“Marrëveshja do të përshpejtojë kalimin e mallrave amerikane përmes procesit doganor në Mbretërinë e Bashkuar, pa asnjë burokraci,” deklaroi Trump, duke e cilësuar këtë hap si një përmirësim të madh në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Starmer e ka quajtur marrëveshjen një moment historik për Britaninë e Madhe, duke theksuar rëndësinë e saj për ekonominë britanike.

“Është një ditë fantastike dhe historike. Kemi punuar shumë së bashku,” tha Starmer, duke shtuar se kjo marrëveshje do të nxisë tregtinë, do të mbrojë vendet ekzistuese të punës dhe do të krijojë vende të reja pune, duke hapur akses të zgjeruar në tregjet ndërkombëtare.

Sipas raportimeve nga BBC, marrëveshja përfshin eksportet amerikane të mishit të viçit, etanolit dhe produkteve të tjera bujqësore, duke krijuar mundësi të reja për fermerët dhe industrinë amerikane.