“TikTok-ut do ia mbyll derën qeveria”/ Rama: Llumit duhet t’ia mbyllë dyert populli në zgjedhjet e ardhshme

Kryeministri Edi Rama ka bërë një thirrje të fortë ndaj qytetarëve gjatë një deklarate të fundit, duke u kërkuar të mos tolerojnë dhe të mos i japin mbështetje opozitës, të cilën ai e quajti “llum” dhe “shpifarakë që nuk përfaqësojnë një alternativë politike për shekullin 21”.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se shqiptarët duhet të tregohen të vendosur dhe t’i mbyllin derën opozitës në zgjedhjet e ardhshme.

“Mos i falni autorët e poshtërsirave dhe shpifjeve. Këta nuk janë alternativë politike, por modele të shpifura të bashkëjetesës shoqërore. Ju duhet t’ia mbyllni derën këtij llumi,” tha Kryeministri.

Në vijim, Rama u ndal edhe tek përdorimi i platformës TikTok, duke e cilësuar atë një burim problematik për shoqërinë.

“TikTok do t’ia mbyllë derën qeveria, por këtij llumi politik duhet t’ia mbyllni dyert ju. Shqipëria nuk ka vend për shpifarakët dhe për ata që e kanë kthyer politikën në një arenë poshtërsish,” deklaroi ai.