Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të përsëritura nga opozita, duke i cilësuar ato si shpifje të pabaza dhe sulme personale. Në një deklaratë të gjatë, Rama u shpreh se akuzat ndaj tij kanë prekur çdo aspekt të jetës së tij private dhe profesionale.
Kryeministri deklaroi se është quajtur homoseksual, transeksual, dhunues i gruas dhe i nënës së tij, si dhe kriminel nga opozita. Sipas tij, këto sulme janë fabrikuar për të dëmtuar figurën e tij publike.
“Më kanë bërë përdhosës të familjes, duke fabrikuar një dokument të rremë për divorcin tim dhe duke pretenduar akuza monstruoze që vetëm një egërsirë, jo një njeri, mund t’i shpikë,” tha Rama. Ai shtoi se divorci i tij ka qenë paqësor dhe pa konflikte.
Lidhur me akuzat për orientimin e tij seksual, Rama tha: “Më kanë bërë homoseksual, biseksual e transeksual. Mund të kisha qenë, por Zoti më ka përcaktuar heteroseksual dhe s’kam pasur kuriozitet ta pyes për prirjet që Ai zgjedh për njerëzit.”
Rama iu përgjigj gjithashtu akuzave se jeton në një saraj të ndërtuar me favore apo para të pista.
“Ata kanë fantazuar çdo gjë për shtëpinë time. Por ajo shtëpi është ndërtuar nga puna e ndershme e imja dhe e bashkëshortes sime. Nuk ka lidhje me ndonjë favor, kulla apo buxhet shteti.”
Kryeministri theksoi se gjatë gjithë karrierës së tij, asnjë provë nuk është paraqitur për akuzat që ai ka vjedhur apo përfituar nga detyra.
“Kush më njeh e di që paraja nuk ka qenë kurrë tundim për mua. Gati çerek shekulli akuzave, por asnjë provë. Më kanë bërë si veten, por unë nuk jam si ata,” u shpreh ai.
Rama theksoi se gjithë këto sulme dhe shpifje nuk kanë arritur ta lëkundin. “Janë vetëm zhurmë, e cila nuk më ndalon të punoj për këtë vend. Shqiptarët e dinë kush jam dhe çfarë përfaqësoj,” përfundoi ai.