Thyen xhamat e lokalit dhe tentuan të vidhnin, kapen në flagrancë dy hajdutë në Kurbin

Dy persona janë arrestuar në flagrancë nga policia në Kurbin, pasi hynë me forcë në një lokal duke thyer xhamat, me qëllim për të vjedhur paratë e xhiros ditore dhe pije alkoolike.

Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit, pas denoncimit të pronarit, bëri të mundur kapjen e tyre në kuadër të operacionit “Alarmi”. Vijojnë hetimet për përfshirjen e tyre në raste të tjera vjedhjeje.

Njoftimi i policisë:

Rreth mesnatës, thyen xhamin e një lokali në fshatin Fushë Gjormë, për të vjedhur para dhe produkte, arrestohen në flagrancë, në lokal, 2 shtetas.

Të dy, me precedent të theksuar për këtë krim.

Menjëherë pas denoncimit të shtetasit A. I., se 2 shtetas kishin thyer xhamin e lokalit të tij, në fshatin Fushë Gjormë, me qëllim vjedhjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, të kryera në kuadër të operacionit “Alarmi”, u kapën në flagrancë, në lokal, duke vjedhur xhiron ditore dhe pije alkoolike, dhe u vunë në pranga shtetasit Gj. Gj., 65 vjeç dhe B. D. alias B. T., 38 vjeç, të dy banues në Kurbin.

Vijojnë hetime me qëllim zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, dhe “Shkatërrimi i pronës”.