Tentuan të kontrabandonin lëndë piroteknike në Shqipëri, arrestohen 2 të rinj

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve që po kryhen me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukë dhe shërbimin doganor, është goditur një rast i tentativës për të kontrabanduar mallra.

Në hyrje të RSh-së, në vijën e dytë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin Xh. L. dhe pasagjer shtetasin L. G., janë gjetur 2 kuti të mëdhaja me lëndë piroteknike, pa faturë shoqëruese, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit L. G., 20 vjeç, banues në Durrës dhe Xh. L., 19 vjeç, banues në Vorë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës.”