Të ardhurat buxhetore në 2023, në raport me PBB-në u rritën me “ndihmën” e ndihmave

Ekonomia e vendit ka përshpejtuar ritmet e rritjes pas pandemisë, por kapacitetet për grumbullimin e të ardhurave buxhetore nuk po ecin në të njëjtin ritëm. Të dhënat zyrtare nga Financat tregojnë se më 2023 të ardhurat në raport më PBB arritën në 27.8% të PBB-se, rritje 1 pikë përqindje në raport me vitin 2022, por pothuajse e gjithë rritja erdhi nga ndihmat e huaja dhe kontributet e sigurimeve, teksa të ardhurat nga tatimet dhe doganat në raport me PBB qëndruan në vendnumëro.

Megjithë kontributin që kishin ndihmat, të ardhurat buxhetore në raport me PBB-së, pas disa vitesh rënie kapën nivelin e vitit 2017. Të ardhurat nga ndihmat huaja në formën e mbështetjes buxhetore arritën me 2023 në 22,2 miliardë lekë vlerë sa 1 % e PBB-së këtij vit. Ky zë në raport me PBB -ne ishte në nivelin më të lartë nga viti 2016. Nga ana tjetër të ardhurat tatimore arritën në 25,9% të PBB-se me një rritje vjetore 0.7 pikë %, të ndikuara nga ecuria e mirë e kontributeve, si rrjedhojë e rritjes së pagave.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat në raport me PBB-në mbetën në vendnumëro, vetëm 18,3 për qind. Nga ana tjetër ritmet e rritjes ekonomisë pas pandemisë janë përshpejtuar. Në 2021 PBB-ja u rrit me 8.9, më 2022 me 4.9%, dhe këtë vit pritshmëritë janë në 3.5%. Rezultatet e PBB-së tregojnë se në 9 mujorin 2023 ekonomia u rrit me 3.2 %. Para pandemisë në vitet 2018-2019 ekonomia u zgjerua mesatarisht me 3 % në vit.

Teksa ekonomia ka përshpejtuar ritmet e rritjes, nuk kanë shkuar në të njëjtën trajektore arkëtimet të ardhurave tatimore, të cilat në raport me PBB-në kanë mbetur në vendnumëro. Sakaq të ardhurat nga tatimet dhe doganat në raport me PBB-së ishin 18.3%, niveli më i ulët se rezultati 19% i vitit 2008, rekord në historinë e tranzicionit.

Inflacioni dhe ekonomia e Shqipërisë po rriten me ritme më të përshpejtuara se dekada që lamë pas, por vendi ka rënë në kurthin e informalitetit pasi të ardhurat buxhetore në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto pritet të shënojnë rënie në periudhën afatmesme 2024-2027 sipas parashikimeve në Kuadrin Afatmesëm Ekonomiko Fiskal.

Ministria e Financave parashikon që ekonomia e vendit të rritet afërsisht me 4% në periudhën 2025-2027, teksa inflacioni pritet të jetë së paku 3 për qind. Por nga ana tjetër të ardhurat në raport me PBB pritet të vijnë me rënie. Financat presin të ardhurat buxhetore të kenë arritur sa 28 për qind e PBB këtë vit, por ato nuk pritet të jenë më shumë se 27.8 % e PBB-së duke në vitin 2027./Monitor