Takimi Iran-BE në Gjenevë, Irani zbulon kushtin e vetëm për të negociuar me SHBA-të: Izraeli duhet të…

Irani ka vendosur një kusht të qartë për të pranuar bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen bërthamore. Sipas raportimeve nga CNN, gjatë një takimi me zyrtarë evropianë në Gjenevë të Zvicrës, përfaqësuesit iranianë deklaruan se do të ulen në tryezë me amerikanët vetëm nëse Izraeli ndalon sulmet ndaj territorit të tyre.

Një zyrtar perëndimor me njohuri mbi bisedimet sqaroi se zyrtarët iranianë ishin të prerë në qëndrimin e tyre dhe nuk e konsiderojnë të mundur zhvillimin e bisedimeve ndërkohë që vendi i tyre po bombardohet nga ushtria izraelite. Nga ana e tyre, përfaqësuesit evropianë pranuan se SHBA-të nuk kanë domosdoshmërisht autoritetin për të ndaluar veprimet ushtarake të Izraelit, por u angazhuan të përcjellin këtë mesazh në kanalet përkatëse diplomatike.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët iranianë u shprehën se do të kërkojnë mendimin e udhëheqjes së tyre për të shqyrtuar mundësinë e ndërprerjes së sulmeve ndaj Izraelit, në rast se Tel Avivi ndalon ofensivën. Burimet theksojnë se nëse të dyja palët – Irani dhe Izraeli – bien dakord për të ndaluar veprimet ushtarake reciproke, atëherë do të krijoheshin kushtet për bisedime të drejtpërdrejta mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë përcjellë një mesazh të qartë në këtë proces: çdo marrëveshje për negociata të drejtpërdrejta duhet të përfshijë si element thelbësor pranimin nga Irani për të ndaluar pasurimin e uraniumit.