Presidenti italian Sergio Mattarella ka qortuar ashpër Elon Musk për komentimin e vendimeve të gjykatës italiane që ka penguar planet e qeverisë për të dërguar disa azilkërkues në Shqipëri.
Musk, i cili pritet të ketë një rol të lartë këshillues në administratën e re amerikane të Donald Trump, shkroi në X se “gjyqtarët duhet të largohen”.
Ai i referohej vendimit të fundit të gjykatës italiane kundër marrëveshjes së kryeministres Giorgia Meloni me Shqipërinë për strehmin e emigrantëve ilegalë.
Në një postim pasues të mërkurën, Musk shkroi: “Kjo është e papranueshme. A jeton populli i Italisë në një demokraci apo një autokraci e pazgjedhur i merr vendimet?”
Vendimi i së hënës, ishte pengesa e dytë gjyqësore për planin e shumëpërfolur të Melonit për të transferuar në Shqipëri azilkërkuesit.
Mattarella nuk e citoi Musk me emër, por, në një deklaratë jashtëzakonisht të fortë, e bëri të qartë të mërkurën se ai i referohej atij.
“Italia është një vend i madh demokratik dhe … di të kujdeset për veten duke respektuar Kushtetutën e saj”, tha Mattarella në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i tij.
“Çdokush, veçanërisht nëse siç njoftohet është gati të marrë një rol të rëndësishëm të qeverisë në një vend mik dhe aleat, duhet të respektojë sovranitetin e tij dhe nuk mund t’i atribuojë vetes detyrën e dhënies së recetave”, tha presidenti italian.