Sulme të koordinuara ndaj burgjeve në Francë! Digjen automjete dhe qëllohet me kallashnikov ndaj institucioneve

Franca është tronditur nga një seri sulmesh të dhunshme dhe të koordinuara ndaj disa institucioneve penitenciare në mbarë vendin, të cilat kanë përfshirë zjarrvënie të qëllimshme, përdorim armësh të rënda dhe dëme të konsiderueshme në objekte dhe automjete.

Sipas autoriteteve, sulmet ndodhën mbrëmjen e së dielës, ku disa burgje në pjesë të ndryshme të Francës u goditën nga autorë të armatosur dhe të organizuar. Në burgun La Farlède në Toulon, në juglindje të vendit, janë qëlluar 15 plumba në drejtim të portës hyrëse, me një armë të rëndë, dyshohet kallashnikov, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale.

Në burgun Villepinte, në rajonin e Parisit, kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur dy persona depërtuan në kompleks përmes një argjinature dhe i vunë flakën dy automjeteve, ndërsa zjarri u përhap edhe në një të tretë. Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në burgjet e Nanterre, Aix-en-Provence, dhe Valence, ku automjetet e punonjësve të burgjeve janë djegur.

Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin, përmes një reagimi në platformën X, i cilësoi këto ngjarje si sulm të drejtpërdrejtë ndaj Republikës dhe institucioneve të saj, duke theksuar se vendi po përballet me pasoja të drejtpërdrejta nga trafiku i drogës dhe rrjetet kriminale. Ai njoftoi se do të vizitojë sot pasdite burgun në Toulon për të shprehur mbështetje për punonjësit e prekur.

“Franca po ndërmerr masa të fuqishme që synojnë përçarjen e rrjeteve kriminale, dhe do të jetë e vendosur e guximtare përballë sfidave të tilla,” tha Darmanin. Ai ka shpallur më herët planin për të izoluar 100 trafikantët më të rrezikshëm në një burg me siguri të lartë, ndërkohë që parlamenti po shqyrton një ligj për krijimin e një Prokurorie Kombëtare kundër Krimit të Organizuar (PNACO).

Sindikatat e oficerëve të burgut, përfshirë FO Justice dhe Ufap Unsa Justice, e cilësuan situatën si një sulm frontal ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria dhe më shumë burime për garantimin e sigurisë së institucioneve.

Në natën e së dielës janë raportuar edhe zjarre në parkingun e Shkollës Kombëtare të Administrimit të Burgjeve (ENAP) dhe në qendrën e paraburgimit Reau, gjithashtu në rajonin e Parisit. Në disa prej vendeve janë gjetur edhe slogane me përmbajtje anarkiste, çka ka shtuar dyshimet se sulmet janë pjesë e një fushate të organizuar për të sfiduar politikën e re të shtetit ndaj bandave të drogës.