Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u përball të martën në Komisionin e Sigurisë në Kuvend me pyetje të deputetëve të opozitës për çëshjen “McGonigal”, ku një ish-zyrtar i lartë i FBI akuzohet për përfitime, udhëtime dhe takime të padeklaruara në Shqipëri, përfshi edhe ato me kryeministrin Edi Rama.
Peleshi përdori terma si “stuhi në gotë” dhe “qesharake” duke komentuar skandalin që ka zënë titujt e mediave botërore dhe akuzat e ngritura ndaj Charles McGonigal.
“Ato që këtu ne i ngremë si stuhi në gotë dhe flluska sapuni ju siguroj që përtej oqeanit dukeshin qesharake,” tha Peleshi, duke iu referuar vizitës së tij në SHBA pak ditë më parë ku u prit dhe në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III.
“Me stuhi në gotë dhe kështjella rëre nuk kishim kohë të bisedonim,” u tha më tej Peleshi deputetëve.