Specialja ngre aktakuzë ndaj Thaçit, arrestohen edhe 3 persona të tjerë për ndikim mbi dëshmitarët

Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.

Siç bëhet e ditur në njoftim, “Thaçi ndodhej në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij

Specialja ka arrestuar gjithashtu Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun  sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Hajredin Kuçit i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dha ZPS-së mbështetje operacionale dhe logjistike, dhe Policia e Kosovës dha mbështetje operacionale.

ZPS-ja e merr pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari.