SPAK sekuestron pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë, dyshohet se shefi i Rrugores Roven Zeka ka …
SPAK ka sekuestruar pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë ku ndodhet pas hekurave shefi i Rrugores, Roven Zeka. Veprim i bërë pasi ka dyshime se zyrtarë të policisë kanë pasur kontakt me Zekën.
Shefi i Qarkullimit Rrugor u vendos në pranga më 19 Prill me urdhër të SPAK. Prokuroria e Posaçme lëshoi urdhërarrest edhe për shefin e sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku, si edhe për Oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku.
Ndaj tyre është ngritur një akuzë për korrupsion dhe që ka lidhje, në fakt, me një ngjarje të rëndë, ku janë mbuluar pasojat e një aksidenti ku nga përplasja e dy automjeteve, pesë persona kanë përfunduar në spital, ngjarje ndodhur disa javë më parë.
Referuar të dhënave të bëra publike nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me operacionin e kryer nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u mësua se tre zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës dyshohet se morën ryshfet për të mbyllur çështjen në rrugë, ndërkohë që asnjë institucion nuk bën me dije se çfarë ka ndodhur me 5 qytetarët e plagosur në atë përplasje mes dy automjetesh me datë 16 prill.
Gjatë seanës në Gjykatën e Posaçme, më 22 Prill, mësohet se Roven Zeka është shprehur se ai është një oficer karriere në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa oficerit Sokol Novaku nuk i janë pranuar argumentet për një masë më të butë sigurie për shkak të rrethanave familjare.