Sot heshtje zgjedhore, nesër zgjedhjet në Himarë! 15 muaj betejë për kryetarin e ri! 23 mijë qytetarë zgjedhin mes Vangjel Tavos e Petro Gjikurisë

Ditën e nesërme banorët e Himarës do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës pritet që t’i japin zgjidhje një beteje 15 mujore për të parin e himarjotëve, një sagë që nisi me arrestimin e Fredi Belerit dhe më pas edhe të kryetarit në detyrë, Jorgo Goro.

23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës. 36 qendrat e votimit në Himarë do të hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në 19:00, ndërsa ditën e sotme është heshtje zgjedhore.

Materialet zgjedhore  kanë mbërritur në Himarë një ditë më parë, ndërsa KQZ do të bëjë shpërndarjen e tyre orët e para të mëngjesit me qëllim që qendrat e votimit të jenë gati në orën 07:00 të së dielës. Në Himarë do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë edhe numërimi i votave.

Petro Gjikuria u prezantua zyrtarisht si kandidat i partive opozitare më datë 17 korrik, gjatë një tubimi elektoral me banorë të zonës. Ndërsa emri i Vangjel Tavos ishte lakuar më herët, por kandidatura e tij u zyrtarizua pasi hoqi dorë nga detyra e Prefektit të qarkut Vlorë.

Bashkia e Himarës u bë qendër e një konflikti të madh politik që zgjati rreth 15 muaj. Gjithçka nisi në zgjedhjet vendore të 2023, ku dy ditë para zgjedhjeve, më 12 maj, kandidati i opozitës Fredi Beleri u arrestua për korrupsion zgjedhor.

Beleri fitoi nga burgu, ndërsa akuzat nisën nga opozita që e cilësoi arrestimin e tij politik, ndërsa çuarja e tij në qeli futi në ngërç dhe marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Beleri nuk e ushtroi detyrën e tij asnjë ditë, edhe pse bëri një betejë të gjatë ligjore për të marrë leje për t’u betuar, por kërkesa e tij nuk u aprovua asnjëherë.

Në burg përfundoi edhe kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro i cili po ashtu u arresrua më 23 mars për tjetërsimin e pronave në Himarë. Dënimi i Fredi Belerit me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës, ndërsa KQZ i hoqi mandatin si kryebashkiak i Himarës.

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë u shpallen brenda disa orëve në një koordinim vendimesh mes KQZ-së, Kryeministrisë dhe Presidentit të Republikës, procedura që u kontestuan në gjykatë nga Fredi Beleri. Ky i fundit kërkoi rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve pasi sipas tij ende nuk kishte kaluar afati i ankimit të vendimit të KQZ, por kërkesa e tij u rrezua nga Gjykata Administrative e Tiranës.

Me dy kryetarë në burg, Bashkia e Himarës u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq dhe aktualisht bashkia drejtohet nga Arqile Bollano.

Check Also

Kina nuk do të dërgojë më fëmijë për birësim jashtë shtetit

Kina nuk do t’i dërgojë më fëmijët jashtë shtetit për birësim, duke përmbysur një rregull …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *