“Si një bombë nukleare”, cikloni në ishullin francez: Viktimat mund të jenë me mijëra!

“Të duket sikur je duke përjetuar pasojat e një lufte bërthamore.. një lagje e tërë u zhduk përpara syve të mi”. Kështu e përshkroi një i mbijetuar i ciklonit Chido kalimin e stuhisë tmerruese në arkipelagun francez të Mayotte në Oqeanin Indian, ku ka lënë pas shkatërrime të paimagjinueshme e ku autoritetet pohojnë se numri i viktimave mund të mbërrijë edhe në mijëra.

Chido u përplas mbi zonën me 320 mijë banorë me erëra që kapërcenin shpejtësinë 225km/h. Më të goditurit prej tij duket se kanë qenë të varfrit, që jetonin në streha të improvizuara. Punonjësit e shpëtimit, përfshirë dhe grupe të mbërritura nga Franca, janë vënë në garë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja. Dëmet e mëdha në infrastrukturë megjithatë- me linjat e energjisë elektrike të rrëzuara dhe rrugë të pakapërcyeshme- i kanë vështirësuar së tepërmi operacionet e emergjencës.

Cikloni e goditi në Mayotte gjatë natës, tha administrata zyrtare e meteorologjisë Meteo-France, sipas të cilëve, kjo ishte stuhia më e fuqishme që ka goditur ishullin në mbi 90 vite. Pamjet e marra nga ajri nga forcat e xhandarmërisë franceze tregonin rrënojat e qindra barakave nëpër kodrat e njërit prej ishujve Mayotte, ku ka patur një përqendrim emigrantësh të paligjshëm nga Comorosi fqinj.

“Për numrin e viktimave, do të komplikohet situata, pasi Mayotte është territor mysliman ku të vdekurit varrosen brenda 24 orëve”, tha më herët një zyrtar i ministrisë së brendshme franceze. Sipas ministrisë, në Mayotte gjenden mbi 100 mijë emigrantë pa dokumente.

Duhen katër ditë udhëtim me anije që të mbërrihet në Mayotte, e gjendur gati 8 mijë kilometra larg Parisit. Mayotte është më e varfër se pjesa tjetër e Francës dhe është përballur prej dekadash me dhunën nga bandat dhe trazirat sociale. Rreth 77% e banorëve të saj jetojnë nën pragun e varfërisë.