Shqiptari tenton të rrëmbejë tre fëmijë në Greqi – Arrestohet pas një ndjekjeje 20 minutëshe
Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në Greqi, ku një 37-vjeçar shqiptar ka tentuar të rrëmbejë tre fëmijë të mitur, përpara se të ndalohej nga Policia pas një ndjekjeje të gjatë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 16:00 të së dielës së Pashkëve, kur i dyshuari, ende i paidentifikuar me emër nga autoritetet, tentoi të fuste me forcë në automjetin e tij tre fëmijë – dy vëllezër të moshës 9 dhe 13 vjeç dhe një tjetër djalë 10 vjeç.
Sipas mediave greke, 37-vjeçari ishte në gjendje të dehur kur u përpoq të kryente rrëmbimin. Prindërit e fëmijëve kanë njoftuar menjëherë Policinë, e cila ka nisur një operacion për kapjen e tij.
Kur patrulla e Policisë identifikoi mjetin që përshkruhej në denoncim, i kërkuan të ndalonte, por shqiptari u përpoq të largohej me shpejtësi. Pas një ndjekjeje që zgjati rreth 20 minuta, ai u ndalua dhe u arrestua.
Rezultatet e testit të alkoolit treguan se ai kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli, me nivel 0.56 dhe 0.54 gramë për litër gjaku. Gjithashtu, u zbulua se ai po drejtonte mjetin pa një leje drejtimi të vlefshme.
Ndaj tij tashmë janë ngritur disa akuza të rënda, përfshirë tentativë rrëmbimi të të miturve, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe rezistencë ndaj arrestimit.