“Shqiponja” e famshme e Tiranës gjen “fole” të re, do të vendoset në këtë qytet
“Shqiponja” e sheshit të dikurshëm të Tiranës, e cila u hoq në vitin 2018 për shkak të projektit të Unazës së Madhe, do të rikthehet, por këtë herë në qytetin e Kukësit.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti socialist Pandeli Majko, i cili njoftoi se simboli i njohur do të vendoset në rrethrrotullimin e Gostilit, në hyrje të qytetit të Kukësit. Ky transferim është bërë i mundur falë mirëkuptimit të Lazim Destanit, dhuruesit të kësaj vepre.
Në një postim në rrjetet sociale, Majko shkruan:
“Shqiponja” e sheshit të dikurshëm të Tiranës, do të vendoset te rrethrrotullimi i Gostilit, në hyrje të Kukësit! Kjo u realizua falë mirëkuptimit të mikut tim Lazim Destani (i cili është dhuruesi i saj), miratimit të Edi Ramës dhe bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës! Albert Halili, kryetari i Bashkisë së Kukësit si protagonist i këtij procesi po koordinon punën për vendosjen e “shqiponjës”!… Mbarësi!”
Simbol i Pavarësisë së Shqipërisë
“Shqiponja” u vendos fillimisht në hyrje të Tiranës në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në një ceremoni të organizuar nga qeveria e asaj kohe, e kryesuar nga Sali Berisha dhe kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.
Vepra, një skulpturë e derdhur në çelik të rëndë me lartësi 10 metra (shqiponja është 6 metra e lartë dhe ka një bazament 4 metra), është krijuar nga artisti Albi Cifligu dhe financuar nga familja e njohur tetovare “Destani”.
Pas largimit nga sheshi i pagëzuar me emrin “Sheshi Shqiponja” në Tiranë, vendosja e saj në Kukës shënon një hap të ri në historinë e këtij simboli të rëndësishëm për shqiptarët.
Punimet për vendosjen e “Shqiponjës” në rrethrrotullimin e Gostilit pritet të përfundojnë së shpejti, duke e kthyer atë në një pikë tërheqëse për qytetin verior.