Shkodër/ Nuk asgjesuan 1000 bimë kanabis, pezullohen 6 policë (EMRAT)

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj 6 punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e kryer në bashkëpunim.

Nënkomisar Ardian Baçina me detyrë Ekspert kriminalist pranë DVP Shkodër.

Inspektor Sokol Kronj me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Inspektor Zef Doçi me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Inspektor Kristjan Lokthi me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Nënkomisar Gjergj Mala i cili në kohën e kryerjes së veprës penale qenë me detyrë Shef i Stacionit Policor në Theth, dhe aktualisht Zv/Shef Seksioni/Specialist në Seksionin Special të Ndërhyrjes Taktike në Njësinë Speciale “RENEA”.

Inspektor Faik Latifi me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Nga hetimet e thelluara disa mujore dyshohet se këta punonjës policie nuk kanë asgjësuar rreth 1000 bimë narkotike, të cilat u gjetën në proces tharje gjatë një operacioni të zhvilluar në Korrik të këtij viti, pavarësisht se janë konstatuar nga ana e tyre gjatë kontrollit të territorit në Njësinë Administrative Shalë, Bashkia –Shkodër.