Shkelje në Tunelin e Murrizit, 165 drejtues mjetesh gjobiten në dy javë nga Policia Rrugore

Policia Rrugore ka rritur ndjeshëm monitorimin e akseve rrugore me synimin për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në qarkullim. Në fokus të veçantë ka qenë Tuneli i Murrizit, ku vetëm gjatë dy javëve të fundit janë ndëshkuar me gjoba 165 drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Sipas njoftimit për shtyp, kontrollet janë kryer në mënyrë të vazhdueshme, 24 orë në 7 ditë të javës, në bashkëpunim me administratorët e mirëmbajtjes së tuneleve dhe me përdorimin e mjeteve teknologjike si dronë, radarë, kamera sigurie, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pauniformuara.

Shkeljet e konstatuara kanë sjellë vendosjen e gjobave prej 40,000 lekësh të rinj dhe zbritje prej deri në 15 pikë nga leja e drejtimit për secilin drejtues mjeti. Të gjitha masat e vendosura pasqyrohen menjëherë në portalin e-Albania, në adresën e drejtuesit ose subjektit që ka kryer shkeljen.