Shfrytëzonin shtetase të huaja për prostitucion, shpallen në kërkim dy shtetase ruse dhe ukrainase

Në një operacion të zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, janë zbuluar dhe goditur aktivitete të paligjshme që lidhen me shfrytëzimin e prostitucionit.

Në kuadër të hetimeve, janë shpallur në kërkim dy shtetase të huaja, të dyshuara se shfrytëzonin një apartament në lagjen “24 Maji” në Vlorë për prostitucion. Shtetaset e shpallura në kërkim janë:
• Y. M., 35 vjeçe, banues në Ukrainë
• K. A., 31 vjeçe, banues në Rusi

Sipas hetimeve, këto shtetase dyshohet se shfrytëzonin dy shtetase të tjera ukrainase për prostitucion në këtë apartament. Pas veprimeve hetimore, dy shtetaset ukrainase u proceduan penalisht në gjendje të lirë për ushtrim prostitucioni.

Puna vijon për kapjen dhe lokalizimin e shtetaseve të shpallura në kërkim, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.