Sanremo 2025/ Emocione dhe surpriza në natën e dytë, shpallen 5 finalistët
Nata e dytë e Festivalit të Sanremos 2025 dhuroi emocion dhe spektakël për publikun, duke shpallur pesë finalistët e kësaj mbrëmjeje: Giorgia me këngën “La cura per me”, Simone Cristicchi me “Quando sarai piccola”, Fedez me “Battito”, Achille Lauro me “Incoscienti giovani” dhe Lucio Corsi me “Volevo essere un duro”. Festivali do të vijojë deri më 15 shkurt, me shumë surpriza të tjera.
Në natën e dytë, 15 nga 29 artistët konkurrues performuan përballë publikut dhe jurive, të cilët vendosën përmes televotimit dhe Jurisë së Radios se cilët këngëtarë do të kalonin në fazën finale.
Mbrëmjen e hapi prezantuesi Carlo Conti, i cili falënderoi publikun për mbështetjen. Në skenën e teatrit “Ariston” ai u prit me entuziazëm, ndërsa publiku këndoi në kor këngën e famshme të Loredana Bertè, “Sei Bellissimo”.
Në garën e propozimeve të reja, publiku votoi përmes televotimit dhe jurive për artistët Alex Wyse me këngën “Rockstar” dhe Settembre me këngën “Vertebre”, të cilët do të garojnë në finale më 13 shkurt.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte interpretimi i Damiano David, që i bëri homazh Lucio Dalla-s me këngën “Felicità”. I veshur me elegancë në një kostum të zi dhe doreza prej tyli, Damiano elektrizoi publikun.
Po aq emocionues ishte edhe momenti i Bianca Balti, e cila hyri në skenë me një fustan blu të hapur dhe me buzëqeshjen e saj të ndritshme, pavarësisht sfidave personale pas kimioterapisë.
Në mbrëmje pati edhe shumë momente argëtuese, ku spikatën Nino Frassica dhe Cristiano Malgioglio, të cilët sollën shumë humor në skenë. Ndërkohë, i ftuari më i vogël, pianisti 6-vjeçar Alessandro Gervasi, mahniti publikun me interpretimin e tij të këngës “Champagne” nga Peppino Di Capri.
Spektakli përmbyllës i mbrëmjes përfshiu një homazh për Queen, me këngën “Somebody to love”, interpretuar nga kasti i filmit “FolleMente”, duke dhuruar një tjetër moment të paharrueshëm për publikun.
Festivali i Sanremos vazhdon me të tjera surpriza dhe performanca që premtojnë emocione deri në natën finale më 15 shkurt.