Interpelancë për krimin/ Deputeti Dogjani: Policia mbron krimin, Ministri Hoxha: Politizoni dramat familjare për kriza artificiale

Deputeti i PD, Asllan Dogjani mbajti interpelancë me ministrin e brendshëm, Ervin Hoxha, ku në fokus ishte siguria dhe rendi në vendin tonë.

Dogjani tha se në vitin 2024 ekzekutimet në vendin tonë arritën në shifra alarmante, teksa iu drejtua ministrit duke i thënë se ai nuk ka forcë të kontrollojë rendin dhe se është vënë në atë pozicion në mënyrë që kryeministri Rama të ketë kontroll të plotë.

PJESË NGA INTERPERLANCA:

Dogjani“Një vajzë nga Gjirokastra i dha fund jetës se nuk ushqehej mirë, se nuk kishte një fustan të mirë si shoqet, u var se bullizohej. E vrau kreu i organizatës, e vrau Edi Rama se e la të varfër, të pamundur për të veshur një fustan. E vrau shteti se ajo nuk kishte mundësinë të ishte si shoqet e veta. Jeni të pashpirt. Sot duhet të kishte dhënë dorëheqje kryeministri dhe gjithë qeveria e tij. Var veten se shetit, psikologia e shkollës nuk iu gjend.
Realiteti ka treguar se rreziku më i madh nuk buron vetëm nga organizata kriminale , por nga ai që i drejton. Vrasësi i vërtet jo vetëm dora që qëllon por edhe ai që i jep pushtet mafias. Para dy ditësh Rama përplasi tavolinën me grusht duke përdorur një fjalor banal. Sepse ate ditë mori vesh se këshilluesit i Trump erdhi në Shqipëri për të drejtuar fushatën e Berishës.
Ministër, ju nuk bëtë asgjë as për Martin Canin, as për 17-vjeçaren që vrau veten në Gjirokatër. Nuk keni forcë të kontrolloni rendin, jeni figurë e vendosur aty që kryeministri të kontrollojë gjithçka”

Hoxha shprehu habinë për arsyen e interpelancës nga deputeti i PD, duke kujtuar se ngjarja fatkeqe nuk ka lidhje me Policinë e Shtetit dhe institucionin që ai drejton, teksa kujtoi se opozita po e përdorte politikisht një dramë familjare.

Hoxha: Nuk e kuptova fare arsyen e thirrjes së interpelancës së Dogjanit, megjithatë unë jam i gatshëm të përgjigjem këtu për çdo pyetje si autoriteti më i lartë i institucionit të rendit dhe sigurisë në vend. Garantimi i rendit dhe sigurisë për qytetarët shqiptarë janë prioriteti kryesor i qeverisë, ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Por duke qenë punë komplekse, ka nevojë edhe për përmirësime.
Si bashkëpunimi me partnerët, përmirësimi i ligjit, të drejtës penale, teknologjia e sofistikuar dhe implementimi i saj. Ajo që thoni ju nuk është e vërtetë, është tragjedi familjare, dramë familjare, e marrë nga njerëz të thjeshtë dhe të rënduar psikologjikisht. Ngrihet pretendimi se ka më shumë vrasje dhe më pak siguri apo më shumë vepra penale. Nuk mund të bëjmë politikë me këtë dramë familjare dhe jetë. Nuk mund të baltoset puna e mijëra punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ka rënie progresive të numrit të vrasjeve nga viti në vit, shënon rekord historik. Në vitin 2024 kemi pasur 41 vrasje në vit dhe më 2025 kemi vetëm 35 vrasje, kundrejt 200 vrasjeve në vitin 2012. Deri në këto momente mbi 80% e vrasjeve janë zbuluar dhe 94 për qind vrasjet në tentativë të sbuluara. Shiffrat flasin vetë, por nuk dëshmojnë çrrënjosjen totale të kriminalitetit, sepse historia e tregon se është e pamundur, madje edhe në vende më të zhvilluara. Pjesa më e madhe e krimeve të vrasjeve vijnë nga motive e shkaqe banale, shkaqe të çastit.
Kemi fuqizuar të gjithë mekanizmat lokalë të forcimit dhe sigurisë, me këshillat në komunitet dhe ata vendor të sigurisë. Konstatimet dashakeqe për sigurinë kanë qëllime të eklipsojnë rezultatet e arritura këto vite. Ndihem i keqardhur që po përdorni e trajtoni publikun si spektatorë, me raste fatkeqe”, tha Hoxha.