Sanksionet e SHBA, reagimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale: Do të vazhdojmë punën për garantimin e drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka reaguar pas vendosjes së sanksioneve nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, ndaj stafit të saj. ICC ka theksuar se do të vazhdojë punën e saj gjyqësore, duke qëndruar fort pranë personelit të saj dhe duke theksuar se urdhri i Trump synon të dëmtojë punën e pavarur dhe të paanshme të gjykatës.

Sanksionet erdhën pas lëshimit të një urdhri nga ICC për arrestimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për krime lufte të dyshuara në Gaza, një akuzë që Izraeli e ka mohuar. Po ashtu, ICC kishte lëshuar një urdhër arresti për një komandant të Hamasit. Megjithatë, edhe pse SHBA dhe Izraeli nuk janë anëtarë të ICC, gjykata ka fuqinë për të ngritur ndjekje penale për krime të rënda ndërkombëtare, duke përfshirë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet lufte.