Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII, për të cilën aktualisht po punohet me ritme të shpejta në terren, është një nga projektet infrastrukturore premtuese me një dimension shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në zonën juglindore të vendit, si dhe lidhjes së vendit tonë me Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë.
Kryeministri Edi Rama së bashku me Zv/kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ishte sot në terren për të inspektuar ecurinë e deritanishme të punës në rrugën që po ndërtohet, e cila fillon në dalje të qytetit të Elbasanit, në fshatin Labinot Fushë dhe përfundon në kilometrin 44, në afërsi të pikës doganore Qafë Thanë.
Projekti do të shtrihet në një gjurmë tërësisht të re buzë lumit Shkumbin, duke i dhënë zgjidhje edhe një problematike që lidhet me mungesën e ndërhyrjeve ndër vite të sistemimit të shtratit të lumit Shkumbin dhe duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së zonave përreth, të cilat do të lidhen me Qendrat Administrative dhe Qendrat Administrative kufitare, por edhe do të nxjerrë në pah fushëpamjen panoramike të zonës.
Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës ku në total ka përfunduar 42% e punimeve.