Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë një hap të rëndësishëm për të ndihmuar të dënuarit që të riintegrohen në shoqëri, duke i mbështetur për të gjetur punë dhe për të kontribuar si për familjet e tyre, ashtu edhe për komunitetin.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, dhe Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon krijimin e mundësive për punësim dhe minimizimin e rikthimit në krim.
Marrëveshja përfshin angazhimin për të përfshirë të dënuarit në programe lokale, duke i ndihmuar ata të ndërtojnë aftësi të reja dhe të sigurojnë një burim të qëndrueshëm të ardhurash. Qëllimi kryesor është që ata të bëhen pjesë aktive e shoqërisë, të ndihmojnë familjet e tyre dhe të shmangin rikthimin në veprime të paligjshme.
Ky bashkëpunim mes institucioneve synon të krijojë një sistem mbështetjeje efektiv, duke i dhënë të dënuarve një mundësi reale për një fillim të ri dhe për një jetë të qëndrueshme në komunitet.