Rënia e bëftë, pas 54 vjetësh, e dinastisë al-Assad të Sirisë sapo ka transformuar peizazhin gjeopolitik të Lindjes së Mesme. Ofensiva e rrufeshme nga milicia islamike Hayat Tahrir al-Sham (HTS) zuri në befasi të gjithë fqinjët e Sirisë – dhe të gjithë të tjerët. Lajmi se presidenti Bashar al-Assad kishte ikur në Rusi konfirmon të vërtetën e vetme detyruese për luftërat: pasojat e padëshiruara mund të shtrihen shumë përtej teatrit të betejës.
Sulmi i 7 tetorit 2023 që Hamasi kreu kundër komuniteteve civile izraelite në kufi me Gazën shkaktoi “tërmete” në të gjithë Lindjen e Mesme. Ofensiva e pamëshirshme e Izraelit për të shkatërruar Hamasin në Gazë dhe në Liban kundër Hezbollahut, praktikisht fshiu “boshtin e rezistencës” të Iranit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar goditën Houthitë e mbështetur nga Irani në Jemen në përgjigje të sulmeve Houthi ndaj anijeve ndërkombëtare.
Lufta civile e Sirisë filloi në vitin 2011 kur regjimi i Assad-it shtypi protestat paqësore të “Pranverës Arabe”. Por luftimet u qetësuan kryesisht pas vitit 2015, kur ndërhyrja e Rusisë, së bashku me ndihmën e Iranit dhe Hezbollahut, e kthyen luftën në favor të Assad-it. Sot, me përfaqësuesit e Iranit të shkatërruar dhe aftësitë luftarake të Rusisë të shteruara në Ukrainë, rebelët panë shansin e tyre.
Me ndihmën turke, dhe me sa duket edhe të Katarit, rebelët mposhtën lehtësisht mbrojtjen çuditërisht të dobët të regjimit dhe ushtria e Assad-it kapitulloi pa një betejë. Pasi mbështetësit iranianë dhe rusë të Assad-it evakuuan me nxitim forcat e tyre dhe e lanë atë në fatin e tij, një regjim i ndërtuar mbi tortura dhe masakra masive nuk ngjallte më frikë.
Fundi i aleancës së Iranit me Sirinë, bastioni kryesor i tij në botën arabe, do të riformësojë ekuilibrin rajonal të fuqisë. Siç tha Mohammad Ali Abtahi, një ish-zv/president iranian, dy ditë para se Assad-i të ikte, rënia e qeverisë siriane “do të ishte një nga ngjarjet më domethënëse në historinë e Lindjes së Mesme. … Rezistenca në rajon do të mbetej pa mbështetje. Izraeli do të bëhej forca dominuese.”
Emri Hayat Tahrir al-Sham qëndron për çlirimin e Levantit, i cili në leksikun politik të Kalifatit të hershëm përfshin Sirinë, Libanin, Jordaninë dhe Palestinën. Por Abu Mohammad al-Jolani, udhëheqësi i HTS-së, është përpjekur të projektojë një imazh të një lloji të ri islamik. Ai duket se ka nxjerrë mësimet e nevojshme nga dështimet e Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik (ISIS) dhe tani e sheh veten si një pragmatist që aspiron vetëm të sjellë “çlirimin e Sirisë nga regjimi i saj shtypës”.
Një shenjë e këtij pragmatizmi të ri janë udhëzimet e Jolanit për njerëzit e tij për të lejuar kryeministrin e Sirisë, Mohammad Ghazi al-Jalali, të vazhdojë të drejtojë institucionet publike derisa ato të dorëzohen zyrtarisht. ISIS do të kishte kryer ekzekutime masive të ushtarëve dhe zyrtarëve.
Megjithatë, al-Jolani drejton një organizatë islamiste të vijës së ashpër. Ata që presin që Turqia mund të zbusë ekstremizmin e HTS, supozojnë se Jolani do të ishte një ushtar i bindur i Turqisë.
Gjithsesi, al-Jolani përballet me kufizime të fuqishme politike. Ai duhet të përballet me një mori milicish rivale që u bashkuan vetëm për të rrëzuar Assad-in, dhe gjithashtu me forcat kurde që nxituan të merrnin kontrollin e më shumë pjesëve të Sirisë lindore, ndërsa ishin nën sulm nga forcat turke në veri.
Për presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, ambiciet e kurdëve të Sirisë kërcënojnë të stimulojnë përmbysjen nacionaliste brenda komuniteteve kurde të Turqisë. Në vitin 2019, Erdogan dërgoi ushtrinë e tij për të krijuar një “zonë sigurie” 30 kilometra të gjerë në Sirinë veriore dhe për të larguar luftëtarët kurdë nga kufiri turk, një zonë ku kurdët kishin shfrytëzuar mundësinë e luftës civile për të konsoliduar një enklavë autonome.
Jolani tani duhet të punojë shumë për të gjetur një kompromis midis dëshirës së kurdëve për të ruajtur autonominë e tyre dhe ambicieve të Turqisë për t’i mbajtur ata larg zonës kufitare. A do të tolerojë Erdogan fitimet territoriale kurde që ai i sheh si kërcënim për sigurinë kombëtare të Turqisë? A do ta lejojë Jolani, i cili aspiron mbështetje mbarëkombëtare, Turqinë t’i deklarojë luftë kurdëve, ndërkohë që ai përpiqet të krijojë një koalicion qeverisës me ta dhe të mbështesë sovranitetin territorial të Sirisë?
Pavarësisht nga konflikti i tij kronik me kurdët e Sirisë, Erdogan e sheh rënien e Assad-it si një arritje të madhe. Ai ishte në ekstazë teksa ndiqte përparimin e forcave rebele. “Idlibi, Hama, Homs dhe objektivi, natyrisht, është Damasku. … Dëshira jonë është që ky marshim në Siri të vazhdojë pa incidente”, tha ai pas faljeve së të premtes së kaluar në Stamboll.
Për vite me radhë, Erdogan dhe aleatët e tij të Katarit kanë mbështetur grupet islamike në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai ishte në garë me iranianët se cili model i demokracisë islame duhet të mbizotërojë në tokat myslimane: marka fundamentaliste shiite apo forma më e moderuar e Turqisë. Tani ai beson se ka fituar mundësinë për ta formësuar një model të tillë afër shtëpisë.
Megjithëse rebelët e Sirisë kanë shumë arsye për ta falënderuar Izraelin për krijimin e kushteve për suksesin e tyre, Izraeli nuk ka iluzione për fqinjët e tij të rinj. Al-Jolani lindi në Lartësitë Golan të Sirisë, të cilat Izraeli i pushtoi në luftën e vitit 1967, dhe aneksimi dhe sovraniteti i të cilave u njohën nga presidenti i SHBA-së Donald Trump në 2019.
Me marshimin rebel në Damask, Izraeli nuk humbi kohë në vendosjen e njësive luftarake përgjatë kufirit sirian. Izraeli është i shqetësuar për përhapjen e mundshme të grupeve të armatosura në Lartësitë e Golanit dhe përpjekjet për të sulmuar fshatrat Druze në anën siriane të kufirit, banorët e të cilëve kanë të afërm në fshatrat në anën izraelite. Me kujtimin e 7 tetorit ende të gjallë kudo në Izrael, nuk ka asnjë vetëkënaqësi për rezervat e armëve në duart e islamistëve në kufi.
Por krenaria e kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu nuk duhet të nënvlerësohet. Nëse tirania siriane u shemb, pse të mos përpiqemi të rrëzojmë edhe atë të Iranit? Tashmë, Netanyahu nuk mund t’i rezistonte tundimit për të shkuar përtej masave të thjeshta mbrojtëse: duke argumentuar se marrëveshja e vitit 1974 që rregullonte ndarjen e forcave midis Izraelit dhe Sirisë kishte rënë, ai urdhëroi trupat izraelite të merrnin kontrollin e pjesës siriane të malit Hermon, gjithashtu edhe të zonës tampon në territorin sovran të Sirisë dhe pozicionet dominuese pranë saj.
Aleatët kryesorë të SHBA-së në rajon janë po aq të shqetësuar. Ata gjithashtu do të donin ta shihnin Assad-in të qëndronte në pushtet, nga frika se një Siri e kontrolluar nga islamistët mund të bëhej një strehë për terrorizmin. Sipas mendimit të tyre, Assad njihej dhe ishte më mirë se një qeveri e udhëhequr nga rebelët islamikë, sado e moderuar pretendon të jetë ajo.
Por tani Assad-i nuk është më. Lindja e Mesme është përsëri në një fazë ndryshimesh dramatike që kërkon që të gjithë, fitues dhe humbës, të rikalibrojnë politikat e tyre.
Ndërkohë, rënia e regjimit të Bashar al-Assadit ka ngritur shqetësime për atë që do të ndodhë në të ardhmen me trupat amerikane që janë të vendosura në vendin e shkatërruar nga lufta. Trupat amerikane kanë punuar me aleatët për të parandaluar rigjallërimin e Shtetit Islamik në Siri. Analistët paralajmërojnë për rrezikun e daljes së militantëve të organizatës terroriste islamike nga një kamp-burg ku mbahen dhe shpërndarjes së tyre jo vetëm në rajon, por edhe në Turqi dhe Evropë.
Ushtria amerikane ka rreth 900 trupa në Siri për të ndihmuar Forcat Demokratike Siriane të parandalojnë rigjallërimin e Shtetit Islamik. Zyrtarët amerikanë thonë se tani, pas rënies së regjimit të Assadit, tre janë objektivaty e tyre kryesore .
“Ushtarët dhe personeli ynë janë të mbrojtur. Ne duam të sigurohemi që aleatët tanë të jenë të sigurt. Ne duam të sigurohemi që të mos ketë një katastrofë humanitare”, thotë Robert Ëood, zëvendës ambasadori amerikan në OKB.
Analistët thonë se rënia e Sirisë ka dobësuar Rusinë dhe Iranin.
“Ata kanë humbur Hezbollahun, ose të paktën aftësinë për ta furnizuar. Ata kanë humbur Sirinë. Pyetja tani është nëse ata mund të mbajnë kontrollin e tyre mbi grupin jemenas Houthi, apo nëse shtetet e tjera në rajon, si Arabia Saudite për shembull, do të tregohet më agresive duke parë se po krijohet një mundësi e re”, thotë Michael Rubin nga Instituti Amerikan ‘Enterprise’.
Pentagoni thotë se komunikimi me aleatët është thelbësor. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka folur me homologun e tij turk për zhvillimet në Siri. Komandanti i Komandës Qendrore Amerikane, gjenerali Erik Kurilla po qëndron në rajon. Ai është takuar me aleatët jordanezë për të diskutuar mbi Sirinë dhe planifikon të flasë me aleatë të tjerë rajonalë në ditët në vijim.