Rama paralajmëron për një kryeministre grua në 2030: Do ta mbështesim së bashku
Në një fjalim të mbajtur në takimin me gratë dhe vajzat socialiste, kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria do të ketë një kryeministre grua deri në vitin 2030.
Ai deklaroi me bindje se, pas suksesit të grave socialiste në Kuvend dhe në postet drejtuese, kjo është një mundësi që nuk është aq e largët siç mund të dukej më parë. Rama shtoi se kjo do të jetë një grua socialiste, duke theksuar se PS ka rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e administratës dhe politikës, përfshirë këshillat bashkiakë dhe Kuvendin.
Fjalët e tij u pritën me fishkëllima dhe brohoritje nga pjesëmarrësit në ngjarje, ku Rama vlerësoi angazhimin e grave dhe vajzave në fitoren e PS-së dhe përpjekjet për rritjen e përfaqësimit të tyre. “Do të shihemi sërish në 2030 për të mbështetur një kryeministre grua,” përfundoi ai, duke nënvizuar angazhimin e PS-së për përparimin e gruas në politikë.